Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Negotiating Peace”: Një shfaqje ndërkombëtare mbi sfidat e negociatave të paqes pas konflikteve të armatosura

“Negotiating Peace”: Një shfaqje ndërkombëtare mbi sfidat e negociatave të paqes pas konflikteve të armatosura

Qendra Multimedia sjell një shfaqje teatrale ndërkombëtare, Negotiating Peace, që trajton temat e vështira të arritjes së paqes pas konflikteve të armatosura. Në këtë produksion marrin pjesë aktorë të njohur nga shtete të ndryshme si Melihate Qena, Shkumbin Istrefi, Ema Andrea, Dukagjin Podrimaj, Ejla Bavcic, Martin Koiv, Orest Pastukh dhe shumë të tjerë.

Shfaqja është frymëzuar nga librat e Richard Holbrooke, “To End a War”, dhe “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadare, duke e paraqitur një pasqyrë të thellë dhe emocionuese të sfidave diplomatike dhe emocionale që lidhen me marrëveshjet e paqes.

Negotiating Peace trajton një temë komplekse dhe të rëndësishme: çfarë ndodh pas një konflikti të armatosur, kur palët e përfshira duhet të negociojnë një marrëveshje paqeje. A janë negociatat e paqes thjesht një formalitet që mbetet në letër, apo ato sjellin ndryshime të vërteta dhe përmirësime për jetën e njerëzve të zakonshëm? Shfaqja diskuton pyetje të tilla si: Kush mund të negociojë paqen? A u takon politikanëve legjitimiteti për të marrë vendime të tilla? A mund të ndodhi pajtimi pas një marrëveshjeje paqeje dhe a është falja një akt kolektiv apo individual?

Ky projekt ka bashkuar një ansambël pan-evropian me artistë dhe grupe teatrore nga Ukraina, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia, dhe paraqet një pasqyrë të pasur kulturore dhe historike të temave të paqes dhe pajtimit në Evropë dhe më gjerë.

Shfaqja ofron një mundësi për publikun të reflektojë mbi pasojat e luftërave dhe vështirësitë e krijimit të një paqeje të qëndrueshme, duke theksuar se paqja është një proces i komplikuar, i cili kërkon gjithashtu forcën e përbashkët të shoqërive dhe individëve për t’u arrirë. /TV Arbëria