Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Në vend të BE-së, Kina dhe India së bashku me SHBA-të, mund të jenë garantuese të paqes në Ukrainë

Në vend të BE-së, Kina dhe India së bashku me SHBA-të, mund të jenë garantuese të paqes në Ukrainë

Shkruan: Afrim Kasolli

Tashmë e gjitha bota është me sy dhe vesh mbi Samitin e paralajmëruar për nesër që do të mbahet në Alaska të SHBA-ve ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin. Ky takim ka për qëllim kërkimin e rrugëve për sigurimin e një armëpushimi për luftën në Ukrainë. Paraprakisht të dy liderët kishin diskutuar disa herë në telefon si dhe ishte mbajtur në Riad të Arabisë Saudite një takim në nivel të kryediplomateve, nw mes tw Marco Rubios dhe Sergei Lavrovit. Pa përmendur këtu edhe vajtjet ardhjet e vazhdueshme diplomatike e të dërguarit special të Donald Trumpit, për këtë konflikt, Steve Wikoff. Por, deri më tani këtë përpjekje kanë rezultuar pa sukses.

Ndërkohë, samiti i nesërm ka ngjallur shumë dyshime dhe pasiguri. Me theks të veçantë për shkak të përjashtimit të vendeve evropiane dhe vet Ukrainës nga tavolina e bisedimeve. Për ta qetësuar këtë ankth gjatë ditës së djeshme u zhvillua një konferencë virtuale ndërmjet kryetarit amerikan dhe disa prej liderëve të BE-së, se asgjë nuk do të vendoset prapa shpinës së tyre si dhe shtetit të Ukrainës. Ndërkohë, i pari nuk e ka përjashtuar as ndarjen territoriale si parakusht për paqe. Kurse kritikë të ndryshëm për këtë takim e kanë vënë theksin të fakti se Rusisë nuk mund t’i besohet , se qëllimi i këtij aranzhimi është vetëm blerja sa më shumë kohë nga Moska, me qëllim që ta maskojë fushatën agresive në terren për të fituar sa më shumë territore, e deri tek çmontimi i narracionit ndërkombëtar se Rusia mbetet e izoluar në Perëndimi.

Sidoqoftë, pretendimet e Bashkimit Evropian se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të këtij entiteti në negociata fatkeqësisht janë diskutabile. Përjashto, Ukrainën e cila nuk guxon te anashkalohet, jetëgjatësia e çdo marrëveshje eventuale sot më shumë ka gjasa të ketë sukses, jo nga mospërjashtimi i BE-së, por nga përfshirja e Kinës dhe Indisë në këtë proces. E para më nuk është ne gjendje t’i diktojë dinamikat të këtilla gjeopolitike. Me këtë rast frika e shteteve evropiane se tashmë ato do të mund të shndërrohen në fusnotë të historisë , po bëhet realitet dita ditës. Dhe se fuqi tjera përtej kontinentit evropian do të mund vendosin për sigurinë e këtij të fundit.

Siç dihet nga të gjithë ne, Kina dhe India sot janë dy nga partnerët kryesorë tregtar të Rusisë. Kjo është arsyeja që presidenti Trump, po i kërcënon ato me sanksione sekondare, si mjet për t’i shtuar levat e tij mbi Putinin. Dhe vetëm nëse Pekini dhe New Delhi, do ta shantazhonin Kremlinin se nëse nuk i përmbahet kushteve të paqes do t’i bashkoheshin sanksioneve ekonomike, mbase do ta detyronin liderin rus te ndërronte mendje. Sepse siç pohon, ekonomisti i njohur amerikan Jeffrey D Sachs, humbjet do te ishin te shumëfishta dhe kështu Rusia do ta kishte te pamundur ta ushqente me tej makinerinë e luftës.

Megjithatë, shtrohet pyetja a kane ato interes ato për një skenar te tille. Përkundrazi, të dy këto shtete e kanë shfrytëzuar në maksimum shansin për t’i plotësuar nevojat e tyre ekonomike me burimet e lira energjetike ruse.

Madje, sipas burimeve të mediave ndërkombëtare Kina e ka interes jetik vazhdimin e kësaj lufte, ngase fillimisht vazhdon ta shndërroje gjithnjë e me shumë Rusinë në vasale te saj ekonomike si dhe e mban SHBA-në të fokusuar në ketë konflikt duke i pasur duart e lira për vete. Në anën tjetër presidenti Putin po kalkulon se te njëjtat do t’i rezistojnë gjithnjë e me shume këtij presioni, si vende anëtare te BRICS-it. Konglomerat gjeopolitik ky i shumë shteteve të pakënaqura me rendin ndërkombëtar të instaluar veçanërisht pas përfundimi të Luftës së Ftohtë.

Është “rregull i pashkruar” diplomatik se në një botë multipolare, fuqitë e mëdha ose merren vesh ndërmjet vete për t’ia njohur njëra tjetrës zonat e interesit ose kaosi bëhet i pashmangshëm. Kjo edhe është arsyeja që krizat dhe luftërat po bëhen gjithnjë e më akute kurse mjetet për t’i mbajtur ato nën kontroll gjithnjë e më të pakta. Pavarësisht dëshirës së presidentit Trump që të shfaqet si një burrështetas i marrëveshjeve paqësorë rrethanat ndërkombëtare nuk janë në përputhje me këtë ambicie personale politike. /TVArbëria