Në zemër të Skenderajt është hapur një prej veprave më mbresëlënëse artistike të realizuara vitet e fundit në Kosovë. Artisti i ri Fatjon Gashi ka prezantuar kryeveprën e tij më monumentale deri tani: një portret gjigant i Komandantit Legjendar Adem Jashari, i shtrirë në mbi 20 metra katrorë dhe i krijuar tërësisht me një teknikë unike të artit pixel.
Vepra përbëhet nga 11.000 thyerje letrash dhe më shumë se 1.000 letra të vendosura me dorë, një proces që kërkon një nivel të jashtëzakonshëm durimi, precizioni dhe përkushtimi. Sipas shumë vizitorëve, pamja e portretit është “mahnitëse dhe që të ndal frymën sapo e sheh”.
Fatjon Gashi e përshkruan veprën e tij si shumë më tepër se art.
Sipas tij, ajo është “amanet, përulësi dhe një shenjë e thellë respekti për sakrificën e Familjes Jashari”, të cilët ai i cilëson si “themelet e lirisë së Kosovës”.
Ekspozita po tërheq vizitorë nga mbarë vendi dhe tashmë konsiderohet një nga atraksionet më të veçanta kulturore të momentit. Ajo qëndron e hapur nga e hëna deri të premten, në orarin 11:00 – 16:00, ku publiku ka mundësi ta admirojë nga afër këtë vepër madhështore që po emocionon çdo vizitor.
Kjo iniciativë artistike e Fatjon Gashit po vlerësohet si një kontribut i rëndësishëm në nderimin e figurës së Adem Jasharit dhe një dëshmi se arti mund të jetë po aq i fuqishëm sa historia në ruajtjen e kujtesës kombëtare.\TVArbëria