Nga Agron hoti
Pas lirimit nga ngrehina raciste antishqiptare, e ashtuquajtura Gjykatë Speciale, Çlirimtari Nasim Haradinaj, që e kishte lënë rehatllëkun përrallor në Suedi për t’iu kundërvënë me luftë çlirimtare Serbisë terroriste e gjenocidale, kur para fundvitit që shkoi u pyet në njërën nga mediat tona, në të duhej të ishte i kujdesshëm për atë ç’po fliste për Specialen dhe si po fliste për të, ai pa asnjë hezitim dhe frikë tha afërsisht kështu: “nuk ma japin ata (Specialja) prapë atë kënaqësi të më çojnë prapë atje.” Nuk ka pasur njeri më të zëshëm dhe më të sinqertë kundër Speciales sesa Nasim Haradinaj, i cili vazhdon të jetë i tillë edhe sot.
Vetë fakti që Nasim Haradinaj përmes shtetësisë së tij suedeze po shfrytëzon të drejtën për ta paditur Specialen raciste dhe shtetet evropiane financuese të saj, do ta bëjë këtë gjyq ndër më të famshmit në Evropë dhe jo vetëm. Sepse do të jetë pikërisht ky gjyqi që do ta dëshmojë se sa shumë po kapej Evropa nga Rusia nga viti 2000 kur kishte ardhur Putini në pushtet në Rusi e deri në shkurt 2022 kur Rusia përfundimisht i riktheu pushkën Evropës, një Rusie që po faktorizonte Vuçiçin në kurriz të Hashim Thaçit me shokë.
Dhe lidhur me atë që u tha më lartë, përderisa në instancat më të larta të SHBA-së gjatë këtyre dy muajve të fundit po zien debati kundër Jack Smith që kishte akuzuar Thaçin me fabrikime ruso-serbe dhe Trumpin me fabrikime tjera, në Kosovë vazhdon të mbretërojë heshtje varri përballë gjithë këtij debati. Fitorja e parë e Trump përballë Jack Smith është duke bërë jehonë në tërë botën, ndërkohë që fitorja përfundimtare e Trump do të jetë kur përfundimisht ta godasë Jack Smith-in për fabrikimet e tij ruso-serbe kundër Thaçit me shokë në Speciale.
Unë mund t’i kuptoj, por kurrë s’do t’i mirëkuptoj, të gjithë ata që ishin bërë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e inxhinieringut ruso-serbo-evropian për ta poshtëruar me shpifje nga më të ndyrat luftën e UÇK-së dhe Strukturës Drejtuese të saj, të cilën përmes Gjykatës Speciale synojnë ta barazojnë Millosheviqin me luftën e UÇK-së. Mund t’i kuptoj, asesi t’i mirëkuptoj, sepse ka mbi 100 vite që Serbia ka ndërtuar struktura në Kosovë, mjerisht shqiptarë, të cilëve lotët rrëke u shkojnë edhe sot për Serbi. Meqë këta kinseshqiptarë kanë hipoteka jetësore në Serbi, janë të detyruar të bëhen argat i Speciales dhe dreqit kundër UÇK-së dhe Strukturës Drejtuese të saj. Bile nga kjo kastë kinseshqiptarësh as që do të prisja më ndryshe.
Por, s’do t’i kuptoj kurrë, e lëre më t’i mirëkuptoj, ata që edhe sot vazhdojnë ta përdorin jehonën e lavdishme historikisht të papërsëritshme të UÇK-së dhe Strukturës Drejtuese të saj, e sidomos ata/ato, të cilët/të cilat pa lidershipin e dëshmuar në luftë e në paqe të Strukturës Drejtuese të UÇK-së as recepsionistë kotecesh të pulave apo bibave s’do të mund të bëheshin, se lëre më të kishin jetëra përrallore totalisht të pamerituara.
Heshtja e profiterëve që mes rreshtash edhe luten ditën dhe natën që të mos kthehen kurrë Çlirimtarët nga Haga, e aq më keq heshtja edhe e atyre që në kohëra të pakohëra e ndanë dhe kafshatën e gojës me Strukturën Drejtuese të UÇK-së, çon ujë pashmangshëm pikërisht te ai inxhinieringu ruso-serbo-evropian që edhe sot synon zhbërjen e Kosovës. Heshtja përballë këtyre sulmeve është padyshim pranim. Trimëri e burrëri është ta mbrosh vendin në luftë e në paqe.
Nëse Nasim Haradinaj sikurse edhe vetë Presidenti në ardhje Trump bashkë me kabinetin e tij, s’po lënë gurë pa lëvizur për ta goditur Specialen dhe Jack Smith-in, si ka mundësi që ata që përfituan më së shumti nga Struktura Drejtuese e UÇK-së të heshtin në debate publike e private, pastaj në Kuvend dhe në çdo kënd të Kosovës?! Pse gjithë kjo strukje?!
Sa do të kenë fytyrë këta heshtës t’i dalin përballë rikthimit jo të largët të lavdishëm të Strukturës Drejtuese të UÇK-së që edhe sot po paguan çmim lirie në Hagë?! Sa do të kenë fytyrë këta heshtës t’u dalin përballë atyre nga Haga e t’u thonë atyre që sa kishin qenë në Hagë, këta kishin qenë në nivel të detyrës kundër keqpërdoimit brutal të shtetit nga ata që e morën atë me çelësa në dorë (me institucione të themeluara nga A-Zh) dhe që mbushën kabinetet me njerëz të inxhinieringut jugonostalgjikë mbi 100 vjeçar?!
Nëse këta heshtës i frikësohen Speciales, si do të na bindin atëherë që s’i janë frikësuar dikur Serbisë?! Sepse nëse na thonë “neve s’na ka hëngër palla për Serbi, ndaj edhe i kemi kthyer pushkën”, pse atëherë mos ta dëshmonin këtë mosfrikë edhe ndaj Speciales?! Heshtësit duhet ta dinë që pa mbyllje të Speciales s’ka rehati Kosova. Këtë po e shohim çdo ditë e më shumë. Po bëhen 5 vite që prej se u funksionalizua Specialja dhe Kosova ka shënuar prapakthim të tmerrshëm duke u futur edhe nën sanksione perëndimore saktësisht siç kishte projektuar Rusia dhe Serbia me disa aleatë të tyre evropianë. Mjerisht, zhbërja e shtetit pikërisht kështu fillon.
14 janar 2025