Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Në Seul kthehet normaliteti pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme

Në Seul kthehet normaliteti pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme

Gjashtë parti opozitare të Koresë së Jugut dorëzuan sot në Asamblenë Kombëtare një mocion që kërkon shkarkimin e Presidentit Yoon Suk Yeol, për shkak të vendimit të tij të djeshëm për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Parlamenti e hodhi poshtë vendimin e tij me votim unanim dhe gjashtë orë më pas, Presidenti Yoon u detyrua ta anulonte gjendjen e jashtëzakonshme.

Pavarësisht se vendi duket se iu rikthye normalitetit sot, e ardhmja politike e presidentit dhe bashkëpunëtorëve të tij është në rrezik.

Votimi për mocionin e shkarkimit të Presidentit koreano jugor Yoon Suk Yeol nga Asambleja Parlamentare mund të mbahet pas dy ditësh.

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, si dhe Këshilltarët e lartë të Presidentit Yoon dhanë sot dorëheqjen në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të tij të papritur dje për gjendjen e jashtëzakonshme.

Koreja e Jugut po përpiqet të kuptojë atë që ndodhi për gjashtë orë martën në mbrëmje.

Sot kryeqyteti me nëntë milionë banorë i Koresë së Jugut filloi ditën normalisht.

“Sot në mëngjes morra vesh se ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe u trondita me të vërtetë. U qetësova kur pashë që vendimi ishte tërhequr në mëngjes, pa probleme serioze. Tani jam vërtetë mirënjohës që kam mundësi të shijojë kafenë e pasdites”, thotë Kim Ha-Kyeong, banor i Seulit.

Presidenti Yonn e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme i zemëruar me opozitën, duke u zotuar të eliminojë forcat “anti-shtetërore”, ndërsa ndeshet me probleme me opozitën që ka shumicën në parlament që ai e akuzon si simpatizuese të Koresë së Veriut komuniste.

Gjandja e jashtëzakonshme nënkuptonte ndërprejen e punimeve të parlamentit, ndalimin e aktiviteteve politike dhe censurimin e mediave. Ushtria u dërgua në parlament për ta marrë atë nën kontroll por dështoi.

Dhjetra ligjvënës, si ky që shohet në video, arritën të çajnë kordonin të forcave të sigurisë, në portën e jashtme.

Udhëheqësi i opozitës Lee Jae-myung transmetoi drejtpërdrejt në rrjete sociale kalimin e tij mbi gardh për të hyrë në ndërtesën e Asamblesë Kombëtare.

“Unë dhe anëtarët e partisë opozitare do të mbrojmë demokracinë, të ardhmen e këtij vendi, sigurinë, jetën dhe pronën e njerëzve”, tha kreu i opozitës Lee Jae-myung.

Pasi hynë brenda, 190 ligjvënës, përfshirë shumë deputet nga partia e Presidentit Yoon, votuan për të hequr gjendjen e jashtëzakonshme.

Pas gjashtë orësh, Presidenti Yoon iu drejtua vendit sërish, këtë herë duke njoftuar heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Megjithatë, i kërkoj Asamblesë Kombëtare të ndalojë menjëherë aktivitetet e pamatura të paralizimit të vendit përmes përpjekjeve të përsëritura për të ngritur akuza për shkarkimin tim dhe manipulimit të legjislacionit dhe buxhetit”, tha Presidenti Yeol.

Ndërsa trupat e Koresë së Jugut u tërhoqën, vendi mbeti i tronditur.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, duke folur nga Brukseli, ku po merr pjespë në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s, tha se Uashingtoni e mirëpret vendimin për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Pati një votim unanim në Asamblenë Kombëtare për të hedhur poshtë vendimin dhe Presidenti e pranoi atë. Sipas gjykimit tonë, çdo mosmarrëveshje politike duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit”, tha Sekretari Blinken.

Nga viti 1948, që kur Koreja e Jugut u bë republikë, mbi dhjetë herë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme. Hera e fundit që ndodhi ishte para 40 vjetësh kur gjenerali Chun Doo-hwan organizoi një grusht shteti dhe sundoi nga viti 1980 deri në vitin 1988.

Publiku i Koresë së Jugut kësaj radhe mund të mos jetë aq i përmbajtur. Disa grupe të mëdha aktivistësh thonë se planifikojnë të protestojnë derisa Presidenti Yoon të japë dorëheqjen./VOA/

Themes by WordPress