Shkruan: Afrim Kasolli- Tërheqja e Nikki Haley nga gara e kandidatit të Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë e ka bërë të qartë, se ish-presidenti, Donald Trump do të jetë kandidati kryesor i kësaj partie në përballje me presidentin aktual demokrat, Joe Biden, për zgjedhjet e nëntorit. Shto këtu edhe faktin, se para pak dite Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e hodhi poshtë kërkesën e Kolorados për t’ia ndaluar ish-presidentit, Donald Trump garimin në zgjedhjet primare në këtë shtet, duke i shmangur kështu edhe pengesat e deritanishme ligjore.
Pra në muajin nëntor qytetarët e Amerikës do të gjenden përballë të njëjtës zgjedhje që ishin para katër vjetëve. Me të njëjtit kandidat, por se tani në një kontekst edhe më të polarizuar politik dhe social. Të dy krahët janë duke e ushqyer opinionin e tyre se në këto zgjedhje do të jenë shansa e fundit për ta mbrojtur Amerikën nga pala tjetër kundërshtare.
Studiuesi dhe profesori i shkencave politike nga Universiteti Georgia, Cas Mudde, në një shkrim të botuar dje në gazetën britanike “The Guardian”, ka shkruar, se sot më shumë se 80% e amerikanëve janë të shqetësuar për demokracinë e vendit të tyre, si dhe për dhunën e mundshme politike në këtë shtet në të ardhmen. Ky fakt i bashkon çuditërisht të dy kampet. Por kuptohet ata shohin të tjetri djallin e madh dhe të vetja engjëllin mbrojtës.
Kështu republikanët në vazhdimësi e mbrojnë pikëpamjen se demokratët kanë për qëllim ta shkatërrojnë atë Amerikë e cila bazohet mbi frymën e një “nacionalizmi të krishterë” dhe i konsideron SHBA-të si një komb të krishterë” që kanë trashëgimi nga traditat dhe vlerat biblike si dhe që ka për mision ta mbrojë familjen tradicionale. Është interesant vazhdon, C.Mudde, se politikat e demokratëve është e vërtetë që e cenojnë atë Amerikë e cila ka qenë realitet historik, por që sot qëndron në kundërshtim të plotë me kushtetutën e saj.
Ndërkohë, demokratët kanë ngritur alarmin se rizgjedhja e Trumpit edhe në një mandat presidencial do të nënkuptonte fundin e demokracisë liberale të SHBA-së, si ka funksionuar deri më tani. Por edhe kritika demokrate është e qëndrueshme, sepse partia republikane sa më shumë kohë që po kalon aq më tepër po rrëshqet drejt modelit të partive të ekstremit të djathtë.
Operimi me këto dy “meta-narracione” më qëllim mobilizimin e bazës elektorale tregojnë për shkallën armiqësisë së brendshme në shoqërinë amerikane si pasojë e partizimit ekstrem dhe hiperpolitizmit.
Sidoqoftë, në anën tjetër fitorja qoftë e kandidatit demokrat Joe Biden, apo e atij republikan Donald Trump, do të ketë edhe implikime të ndryshme globale në këtë kohë të trazimeve planetare.
Me të parin pritet që të vazhdojë mirëmbajta me çdo kusht e lidhjeve trans-atlantike dhe mbështetja e për Ukrainën në luftë kundër agresionit të Rusisë, si dhe synimi për ta kufizuar Kinën si njëri nga rivalët më të mëdhenj gjeopolitik të Amerikës.
Kurse në rastin e dytë mund të dominojë politika “America First” dhe “Make America Great Again”. Madje nuk përjashtohet mundësia që nën drejtimin e tij të kërkohet një marrëveshje me Rusinë për të ndalur luftën në Ukrainë, me qëllim që të joshet e para për ta armiqësur me Kinën. Ndërkohë, një Trump 2 mund te ketë edhe implikime tjera për Kosovën.
Në këtë kontekst, si votuesit amerikanë, por për shkak të ndikimit planetar të këtij shteti edhe bota në këtë nëntor ndodhet ndërmjet dy Amerikave të ndryshme dhe me dallime të qarta të përfaqësuara nga dy kandidatë të shtyer në moshë.
/TV Arbëria