Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Në një botë të paqartë, Kosova flet qartë: Me Amerikën, gjithmonë

Në një botë të paqartë, Kosova flet qartë: Me Amerikën, gjithmonë

Shkruan: R.T

Pjesëmarrja e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Davos dhe nënshkrimi i anëtarësimit në “Bordin e Paqes”, në prani të Presidentit amerikan Donald Trump, nuk është thjesht një fotografi protokollare apo një moment ceremonial.

Ky akt për Kosovën ka peshë politike, strategjike dhe simbolike shumë më të madhe sesa po tentohet të relativizohet nga disa qarqe.

Në një realitet ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm, Kosova po rikonfirmon boshtin e saj të vetëm të sigurt: aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky veprim e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës si shtet serioz, i përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit global. Anëtarësimi në një iniciativë që mban vulën e SHBA-së e vendos Kosovën në një tavolinë ku merren vendime dhe ku dëgjohet zëri i shteteve që ndajnë vlera të përbashkëta me Perëndimin.

Për një shtet ende të kontestuar nga Serbia dhe aleatët e saj, çdo hap që rrit kredibilitetin ndërkombëtar është jetik.

Ky zhvillim është një mesazh i qartë politik: Kosova nuk lëkundet në orientimin e saj strategjik. Në një kohë kur në rajon ka përpjekje për ndikim rus, kinez apo lojëra të dyfishta diplomatike, deklarata e Osmanit “Sepse aleanca me Amerikën është rruga e vetme” nuk është retorikë, por pozicionim i qartë shtetëror. Historia e Kosovës e ka dëshmuar se pa SHBA-në nuk do të kishte liri, pavarësi dhe as siguri. Prandaj, çdo forcim i kësaj aleance është investim direkt në mbijetesën dhe zhvillimin e shtetit.

Kjo ngjarje ka ndikim edhe në dialogun Kosovë–Serbi. Prania dhe përfshirja aktive e SHBA-së në iniciativa të tilla e rrit peshën e Kosovës në proceset negociuese dhe e kufizon hapësirën e manovrimit për Serbinë. Kur Kosova shihet si partnere e besueshme e Amerikës, ajo nuk trajtohet më si palë e dobët apo si problem rajonal, por si faktor stabiliteti.

Kjo nuk është çështje individësh apo fotografish, por çështje drejtimi shtetëror. Kosova ose ecën përpara krah SHBA-së, ose rrezikon të mbetet peng i interesave të huaja dhe krizave të pafundme.

Prandaj, ky hap duhet parë si një sinjal i qartë se Kosova e di kush janë miqtë e saj dhe se rruga e saj politike është e pakthyeshme: me Amerikën, për paqe, siguri dhe shtet të fortë.