Shkruan: Afrim Kasolli
Derisa nuk është e qartë se kur do të mund të krijohen institucionet e reja të dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit, pikërisht në orët e vona të mbrëmjes së djeshme sipas kohës sonë lokale, u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara , për raportin gjashtëmujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për misionin e OKB-së në Kosovë.
Dhe ky takim nëse për asgjë tjetër, edhe në mes të luftës tregtare globale, tregoi për përkushtimin diplomatik të Shteteve të Bashkuara në favor të shtetësisë së Kosovës edhe gjatë kësaj administrate. Që kur drejtimin e Shtëpisë së Bardhë e mori presidenti Donald Trump, ishin ngritur dyshime dhe paqartësi se çfarë do të jetë qasja e kësaj administrate ndaj shtetit të Kosovës, duke marr parasysh stilin e tij jo konvencional dhe jo tradicional politik dhe diplomatik.
Mirëpo, pikërisht dje përfaqësuesi i SHBA-ve, në këtë organ, John Kelley, u dha fund këtyre dyshimeve. Ai ishte më i qartë se kurrë më parë, se “Kosova dhe Serbia duhet të punojnë për uljen e tensioneve, të përmbahen nga masa që përshkallëzojnë situatën dhe të ndërtojnë paqe e stabilitet mes tyre dhe në rajonin më të gjerë, si themel për një të ardhme më të begatë”. Për më shumë “Qëllimi përfundimtar duhet të jetë njohja e ndërsjellë”. Dhe se sipas tij “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar rishqyrtimin dhe mbylljen graduale të misionit të UNMIK-ut në Kosovë, duke e cilësuar atë si një mision të tejkaluar, jo paqeruajtës dhe me shpenzime të panevojshme”.
Natyrisht, një qëndrim tejet afirmativ mbajti edhe përfaqësuesi i Mbretërisë se Bashkuar, duke deklaruar se “vendi i tij mbetet një mik i përkushtuar i Kosovës dhe mbështet aspiratat e saj euroatlantike dhe ndërtimin e një demokracie shumetnike. Kurse Londra zyrtare e mirëpret gjithashtu njohjen e Kosovës nga Kenia dhe i inkurajon shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë hap, të njohin pavarësinë e saj”.
Ky takim në Këshill të Sigurimit qe shumë më avancuar për Kosovën, se sa ai që ishte mbajtur në kohën e administratës se ish-presidentit Biden, pas kërkesës së Serbisë, për sjelljet e Prishtinës për ndalimin e dinarit serb. Atëbotë, si shtetet mike ashtu edhe armike të Kosovës, ishin bashkuar në kritikën e tyre ndaj këtyre veprimeve të Kosovës. Madje, edhe duke e relativizuar ndërkombëtarisht sulmin paramilitar dhe terrorist në fshatin Banjë, ku mbeti i vrarë polici hero Afrim Bunjaku, për shkak të zhvillimit të sipër cekur.
Ky pozicionim i administratës së re amerikane të shprehur nga ambasadori, John Kelley se bashku më atë të para disa ditëve të Sekretarit amerikan Shtetit, Marco Rubio, ku i sulmonte ashpër synimet seperatiste dhe destabilizuese të serbëve të Bosnjës dhe liderit të tyre, Milorad Dodik si dhe njëkohësisht në mënyrë të tërthortë i bënte thirrje shtetit të Serbisë, që të bashkohen me përpjekjet amerikane për paqe dhe stabilitet rajonal, janë një sinjal i qartë goditës ndaj iluzioneve të regjimit aktual në Serbi, se për shkak të rikthimit në Zyrën Ovale presidentit Trump, do ta kishin më të lehtë për t’i jetësuar pretendimet e hegjemonike nacionaliste.
Kuptohet, që të ngushtohet hapësira për driblim edhe më shumë e shtetit fqinj armiqësor, Kosova e ka urgjente ta ndryshojë logjikën e aktuale të veprimit politik. Këshilla është e thjeshtë. Shumë ish-diplomatë amerikanë, që në një mënyrë apo tjetër, kanë qenë të lidhur me procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës, i kanë rekomanduar Prishtinës që të vendos kontakte urgjente më njerëzit e administratës Trump. /TV Arbëria