Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Në Mal të Zi mbahet Samiti për ndarjen e 6 miliardë eurove, fondet të kushtëzuara me reformat

Në Mal të Zi mbahet Samiti për ndarjen e 6 miliardë eurove, fondet të kushtëzuara me reformat

Nesër dhe pasnesër në Mal të Zi do të shpalosen detajet se si do të shpenzohen gjashtë miliardë eurot e parashikuara të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Komisioni Evropian tashmë ka miratuar paratë, nga të cilat dy miliardë janë grande dhe katër miliardë janë kredi të volitshme. Transheja e mjeteve është e kushtëzuar me zbatimin e reformave kurse synimi është krijimi i një tregu të përbashkët të Ballkanit Perëndimor.

“Plani i rritjes nuk do të ketë sukses nëse rajoni nuk funksionon si një, sepse tregu i përbashkët rajonal është në thelb. Nuk ka qasje në tregun e BE-së, nëse nuk ka treg të përbashkët rajonal, por është e qartë se i gjithë Ballkani Perëndimor, të gjitha vendet, në fund të ditës do të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian dhe duhet të kenë një marrëdhënie me njëri-tjetrin ashtu siç kemi tani midis anëtarëve ekzistues të Unionit”, deklaroi Oliver Varheji– komisioner evropian për zgjerim.

Maqedonia në seancë të qeverisë tashmë ka miratuar versionin fillestar të agjendës së reformës, në mënyrë që të tërheqë fondet e para. Transheja pritet të bëhet në shtator dhe do të jenë 7% i parë nga gjithsej 850 milionë euro të dedikuara për vendin. Prioritetet e marra nga Maqedonia me agjendën e reformave kanë të bëjnë me reformat në administratën publike dhe menaxhimin e financave publike, tranzicionin digjital, energjetik dhe të gjelbër, mjedisin e biznesit dhe sundimin e ligjit.

Me integrimin gradual në BE, përmes Planit të rritjes, parashikohen përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, si rrjet falas i internetit në hapësirat publike, qasje në zonën evropiane të pagesave- SEPA, korsitë e gjelbra në pikat kufitare, përfshirja në qendrat evropiane për inovacionet digjitale si dhe përfshirja në prokurimet mjekësore të BE-së.

Delegacioni nga vendi do të udhëhiqet nga kryeministri teknik dhe zëvendëskryeministri i parë, Talat Xhaferi dhe Bojan Mariçiq. Të pranishëm do të jenë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidentja e B e H, Borjana Krishto, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Përveç Varhejit, në takim do të marrë pjesë edhe Xhejms O’Brajan, ndihmës-sekretari amerikan për çështje evropiane dhe euro-aziatike.

Themes by WordPress