Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar të premten se në Kosovë nuk ka për momentin raste të konfirmuara me fruth.
Në komunikatën për media thuhet se duke marrë parasysh që raste të kësaj sëmundje së fundi janë regjistruar në shtete të ndryshme të botës, por dhe në vendet e rajonit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës, u bën thirrje prindërve që të respektojnë kalendarin e rregullt të vaksinimit në Kosovë dhe t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër kësaj sëmundjeje.
“Në Kosovë nuk ka për momentin raste të konfirmuara të fruthit. Vaksinimi i rregullt bëhet çdo ditë në njësitë e vaksinimit në çdo komunë. Në kuadër të Programit të Zgjeruar të Imunizimit në Kosovë, prej vitesh është e përfshirë edhe vaksina kundër Fruthit, që jepet së bashku me vaksinën kundër Parotitit dhe Rubellës”, thuhet në komunikatë.
Sipas MSh-së, fruthi është sëmundje virale shumë ngjitëse dhe e rëndë, që shkaktohet nga një virus i familjes Paramyxoviridae. Përhapet kryesisht përmes ajrit dhe spërklave dhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë. Virusi infekton traktin respirator dhe pastaj përhapet në organizëm.
Shenja e parë e fruthit zakonisht është temperatura e lartë trupore, që zakonisht fillon rreth 10 deri më 12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe zgjat nga 4 deri më 7 ditë. Shenja të tjera të sëmundjes janë rrjedhje nga hunda, kolla, sytë e skuqur e të përlotur dhe pika të vogla e të bardha në mukozën që e mbështjell zgavrën e gojës. Pas disa ditësh paraqiten puçrrat, kryesisht në fytyrë dhe në pjesën e qafës.
Nga kjo sëmundje, fëmijët e vegjël të pa vaksinuar rrezikohen më së shumti nga fruthi dhe komplikimet e tij, madje edhe nga vdekja si pasojë e fruthit.
/TV Arbëria