Sot, në Kisha Ortodokse Shqiptare e Kosovës është shënuar festa e Ditës së Dafinës, një nga ditët e rëndësishme në kalendarin liturgjik, e cila u përcoll me ceremoni solemne dhe pjesëmarrje të besimtarëve.
Ceremonia u zhvillua në Mitropolia e Prishtinës, ku përveç festimit të kësaj dite, u realizua edhe pagëzimi i disa të rinjve, duke i bërë ata pjesë të komunitetit të besimit ortodoks.
Riti i pagëzimit dhe meshës u udhëhoq nga At Nikolla Xhufka, i cili theksoi rëndësinë e kësaj dite si simbol i besimit, përkushtimit dhe rilindjes shpirtërore. I cili gjithashtu gjatë fjalës së tij theksoi se pagëzimet nuk do të ndalen me kaq, por do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Të pranishmit e përjetuan këtë ngjarje në një atmosferë të veçantë fetare, ku u ndërthurën tradita, lutje dhe gëzim për pranimin e besimtarëve të rinj në kishë.
Kjo festë shënon një moment të rëndësishëm për komunitetin ortodoks shqiptar në Kosovë, duke dëshmuar vazhdimësinë e traditave dhe forcimin e jetës shpirtërore në vend.
/TV Arbëria