Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Në Hagë për instruksione”, Çitaku-Kurtit: Po i shërben sërish Prokurorisë duke sulmuar Thaçin e Veselin

“Në Hagë për instruksione”, Çitaku-Kurtit: Po i shërben sërish Prokurorisë duke sulmuar Thaçin e Veselin

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar kreut të VV-së, Albin Kurti, i cili i sulmoi ish-kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, të cilët po mbahen në Hagë.

 

 

Reagimi i plotë:

Albin Kurti, me vetëdije të plotë, ka vendosur sërish t’i shërbejë Prokurorisë në Hagë, kësaj radhe duke sulmuar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Madje, ka pasur guximin të thotë se ne i vizitojmë për të marrë “instruksione”.

Kjo nuk është as politikë, as rastësi. Është qëllim i pastër dhe vazhdimësi e një fushate të kahmotshme që Kurti e ka ndërtuar mbi përbaltjen e të tjerëve, sidomos të atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës.

Një njeri që nuk e ka as edhe një mik të vetëm, nuk mund ta kuptojë se njerëzit mund të kenë marrëdhënie miqësore, njerëzore, jo vetëm kontrata dhe urdhra. Instruksione, Albin, jep ti, në partinë tënde që nuk e udhëheq, por e sundon. Në Vetëvendosje nuk ka as debat, as mendim ndryshe, vetëm një zë: tëndin.

Në PDK është ndryshe. Ka diskutim. Ka mendim kritik. Ka demokraci. E kuptoj që kjo mendësi është e huaj për ty, sepse ti ke ndërtuar një model autoritar, ku çdo mendim tjetër është “armik”.

Dhe, sa për ta mbyllur këtë temë: Kryetar e kemi Memli Krasniqin. Një lider që ka legjitimitet, respekt dhe besim, brenda dhe jashtë partisë. Ta heqim këtë merak.

Ndërkohë, ti vazhdo qaj e vajto. Se për rezultate nuk ke çka flet, sepse nuk ke asnjë.