Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Në Gaza pritet të nis një fushatë vaksinimi kundër poliomielitit

Në Gaza pritet të nis një fushatë vaksinimi kundër poliomielitit

Agjencia shëndetësore e OKB-së dhe partnerët nga e diela do të nisin një fushatë, për të vaksinuar 640 mijë palestinezë në Gaza kundër poliomielitit.

Kjo në një përpjekje ambicioze në mes të një lufte shkatërruese që ka shkatërruar sistemin e kujdesit shëndetësor të territorit.

Fushata vjen pasi në Gaza u shfaq rasti i parë në 25 vjet i poliomielitit, ku një djalë 10 muajsh, u paralizua në këmbë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se prania e një rasti të paralizës tregon se mund të ketë qindra të tjerë që janë infektuar, por nuk po shfaqin simptoma.

Shumica e njerëzve që kanë poliomielit nuk përjetojnë simptoma, dhe ata që vuajnë zakonisht shërohen brenda një jave apo më shumë. Por nuk ka shërim, dhe kur poliomieliti shkakton paralizë, zakonisht është i përhershëm. Nëse paraliza prek muskujt e frymëmarrjes, sëmundja mund të jetë fatale.

OBSh-ja tha të enjten se ka arritur një marrëveshje me Izraelin për pauza të kufizuara në luftime për të lejuar zhvillimin e fushatës së vaksinimit.

Megjithatë, një fushatë e tillë në shkallë të gjerë do të përbëjë vështirësi të mëdha në një territor të mbuluar me rrënoja, ku 90% e palestinezëve janë të zhvendosur.

Fushata tre-ditore e vaksinimit në Gazën qendrore do të fillojë të dielën, gjatë një “pauze humanitare” që zgjat nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 15:00, dhe një ditë tjetër mund të shtohet nëse është e nevojshme, tha Dr. Rik Peeperkorn, përfaqësuesi i OBSh-së në territoret palestineze.

Në koordinim me autoritetet izraelite, përpjekja më pas do të shkojë në Gazën jugore dhe Gazën veriore gjatë pauzave të ngjashme, tha ai gjatë një konference shtypi me video nga Deir al-Balah në Gazën qendrore.

Ministria e Shëndetësisë me bazë në Ramallah tha të premten se do të kishte mbi 400 vende vaksinimi “fikse” – më së shumti në Khan Younis, ku dendësia e popullsisë është më e larta dhe ka 239 mijë e 300 fëmijë nën 10 vjeç.

Vendet fikse përfshijnë qendrat e kujdesit shëndetësor, spitalet, klinikat dhe spitalet fushore, shkruan AP.

Powered by WordPress