Këtë fundjavë hapet perdja e edicionit të ri të Superligës në futboll.
Kampioni në fuqi i elitës, Ballkani garën e hap të dielën në shtëpi ndaj Dukagjinit.
Një sfidë shumë interesante për faktin se përballë njëri tjetrit do të jenë trajnerët Ilir Daja në njërën anë, e në anën tjetër Ismet Munishi.
Suharekasit e mbyllën edicionin e kaluar si kampion, derisa klinasit të shtatit.
Nënkampioni i Kosovës, Llapi e hap edicionin në shtëpi ndaj Gjilanit.
Llapjanët kërkojnë ta nisin me fitore stinorin e ri ndaj një Gjilani me disa ndryshime në krahasim me sezonin e kaluar.
Kjo përballje luhet të shtunën, e po atë ditë e inkuadruara në elitë, Ferizaj e pret Feronikelin 74.
Ferizajasit rikthehen në elitë, pasi u shpallën kampion në grupin e tyre, kurse Nikli e siguroi elitën edhe për këtë vit përmes barazhit.
Të dielën në mbrëmje përmes reflektorëve, Prishtina takohet me Suharekën në stadiumin “Fadil Vokrri” të rinovuar.
Edhe tek kryeqytetasit pamë ndryshime të shumta si në pozitën e trajnerit, po ashtu edhe tek futbollistët.
Suhareka paraqitet për herë të parë në histori në Superligë, me disa ndryshime edhe ajo.
Po ashtu edhe suharekasit dolën kampion në grupin e tyre të Ligës së Parë.
Përballja e fundit është Drita-Malisheva, por e cila është shtyrë për shkak të angazhimit të gjilanasve në garat evropiane.