Shkruan: Afrim Kasolli
Sot janë bërë dy vjet që nga sulmi paramilitar mbi integritetin territorial të Kosovës, të prira nga ish- nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. Në atë konfrontim të armatosur, kishte mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe ishin plagosur dy pjesëtarë tjerë të policisë së Kosovës.
Që nga ajo kohë kanë ndodhur shumë zhvillime. Prokuroria Speciale pas një pune intensive hetimore ka ngritur aktakuzë ndaj atyre që ishin të involvuar në këtë atak. Mirëpo, i akuzuari kryesor i këtij inkursioni vazhdon te jetë arrati, duke u shëtit lirshëm nëpër shtetin fqinj. Prokuroria në Beograd i ka nisur hetimet ndaj Millan Radoiçiq, por ende nuk ka asnjë aktakuzë.
Shteti i Kosovës vazhdon ta kërkojë ekstradimin e tij, por shumë përfaqësuesit diplomatikë nuk janë solidarizuar më këtë kërkesë. Thuajse njëzëri, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe Gjermania më shumë kanë preferuar dënimin e tij në Serbi.
Sidoqoftë, pak ditë pas asaj ngjarje kishte dominuar një mbështetje e madhe ndërkombëtare me Kosovën, pasi kjo e fundit ishte viktimë. Megjithatë, ky muaji i mjaltit nuk zgjati shumë.
Tre nga krerët kryesorë të shtetit, Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri aktual në detyrë, Albin Kurti, si dhe ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca, atëbotë ishin zotuar së pas këtij sulmi nuk do ta vazhdonin dialogun për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, si dhe kërkuan që kjo e fundit të sanksionohej e ndëshkohej ndërkombëtarisht. Mirëpo, asnjëra prej këtyre qëllimeve strategjike nuk gjeti zbatim. Përkundrazi, vazhduan masat sanksionuese ndaj Kosovës. Dialogu nuk u ndal. Kurse Kosova e pranoi draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. E, për shkak të mos procedimit të kësaj teme në Gjykatën Kushtetuese ndikoi që Kosova ta humb shansin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Në anën tjetër, Serbia jo vetëm që nuk u ndëshkua ndërkombëtarisht, por u afrua gjithnjë e më tepër më vendet perëndimore në përgjithësi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në veçanti, (natyrisht duke mos i ndërprerë raportet as me Kinën dhe Rusinë), kurse Kosova erdhi duke u larguar.
Asgjë nuk e pasqyron këtë fakt më mirë se sa zhvillime e fundit. Derisa, Uashingtoni vendosi ta pezulloi dialogun strategjik me Kosovën, të njëjtin ka filluar ta inicioi me Serbinë. E tëra kjo për shkak të sjelljeve të partisë fituese të zgjedhjeve për ta penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 12 tetor, si dhe sulmeve brutale mbi Gjykatën Kushtetuese. Kështu gjatë ditës së djeshme, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së janë takuar Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e të cilët kanë biseduar për fillimin pikërisht të atij raporti që Kosova e gëzonte me Uashingtonin.
Në këtë kontekst në dy vjetorin e sulmi në Banjskë, bashkësia ndërkombëtare ka filluar ta shoh Listën Serbe nga bashkëpjesëmarrëse në atë atak në viktimë politike të Prishtinës, si dhe të pozicionohet në mbrojtje të së parës, nga veprimet e së dytës.
Është e vërtetë që në këtë kohë, Albin Kurti më kompaninë i tij i kanë ndërtuar dy ura elektorale në qytetin e Mitrovicës, por paralelisht me këtë “arritje” duke e cenuar urën kryesore të shtetit të Kosovës, atë të partneritetin me SHBA-të.
Dikur i njëjti i akuzonte ish-kryeministrin Avdullah Hoti se me marrëveshjen e Uashingtonit ia ka shtruar tepihun e kuq liderit serb në SHBA. Por sot vet po endet rrugëve të Prishtinës, i rrethuar nga një numër enorm i bodigardeve, kurse lideri serb po e afron Serbinë me aleatin kryesor të shqiptarëve.