Java e kaluar u dallua edhe për dy vlerësime të ndryshme të Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën dhe Shqipërinë.
Ky komunikim u bë në rastin e Kosovës për rregulloren e BQK-së që ndalon përdorimin e dinarit serb në territorin e Kosovës, kurse në rastin e Shqipërisë si konfirmim përfundimtar i vizitës së paralajmëruar të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë.
Kështu në komunikatën e parë DASH i quajti veprimet Prishtinë sI të njëanshme dhe që kufizojnë mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Me këtë rast, Kosova po ashtu u akuzua se po shpall vendime pa “përgatitje dhe pa konsultim adekuat”.
Prandaj, SHBA-të “ janë thellësisht të zhgënjyera nga plane të tilla” . Dhe ajo që është më kryesorja këto veprime të Kosovës, sipas DASH-it, nuk janë në pajtim me frymën e dialogut dhe i kontribuojnë nxitjes së tensioneve etnike.
Ndërkohë, krejt tjetër ishte gjuha e këtij institucioni të politikë së jashtme Amerikane për Shqipërinë .
Sipas njoftimit zyrtar të DASH-it, Blinken do të vizitojë Shqipërinë, “një partnere kyçe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleate e fuqishme në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.”
Këto dy vlerësime diametralisht të kundërta, ku Kosova akuzohet si shtet që me veprimet e saj po i nxit tensionet etnike si dhe nëse nuk i merr parasysh rekomandimet amerikane do të ndikojë në cilësinë e raporteve bilaterale ndërmjet dy shteteve si dhe ai për Shqipërinë si aleati kryesor i SHBA-ve për stabilitetin Ballkanit Perëndimor, flasin më mirë se asgjë tjetër për mënyrën e ndryshme sesi SHBA-të janë duke e parë sot Kosovën dhe Shqipërinë.
E para po perceptohet në mesin e vendeve që po e shndërron veten në burim të destabliteitit dhe dyta në faktor të stabilitetit rajonal. /TV Arbëria