Shkruan: Afrim Kasollli
Dje ishte festa e krishtlindjeve. Mirëpo, kjo ditë nuk është vetëm festë fetare për pjesëtarët e komuniteti katolik, por për shqiptarët ajo ka edhe një rëndësi tjetër historike. Sepse me këtë datë u farkëtua edhe zyrtarisht aleanca e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atëbotë, presidenti i 41 i SHBA-ve, George H.W. Bush, e kishte instruktuar Sekretarin e Shtetit, Lawrence Eagleburger, që t’i dërgonte një dokument të klasifikuar ambasadorit amerikane në Beograd, ku shkruante se në “rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga veprimet serbe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të gatshme të intertvenojnë ushtarakisht kundër forcave serbe si në Kosovë ashtu edhe në Serbi”.
Kjo letër që ndryshe njihet edhe si “Kërcënimi i Kërshëndellave” u shndërrua në një lloj testamenti diplomatik në marrëdhëniet në mes dy vendeve. Gjuha ndërmjet Uashingtonit dhe Prishtinës ishte në sinkron të plotë se cila qendër politike e kërconte paqen, stabilitetin dhe ishte burim i tensioneve dhe konflikteve rajonale. Në këtë drejtim nuk kishte dallime. Kurse mbi këtë trashëgimi ndodhi edhe intervenimi i NATO-së në vitin 1999 kundër caqeve ushtarake, policore dhe paramilitare serbe i cili rezultoi me çlirimin e vendit. Po ashtu, fal kësaj përkrahjeje Kosova e siguroi shtetësinë nw vitin 2008. Thjesht, gjatë viteve ’90, krejt përpjekja e liderëve politikë të Kosovës, ishte se si ta diskreditonin ndërkombëtarisht politikën shtypëse shtetërore të Serbisë. Pra ta ekspozonin si jo legjitime dhe të bazuar vetëm një përdorimin brutal të forcës e në kundërshtim me parimet demokratike të “fundit të historisë”. Kështu, sigurimi i fitores së jashtme morale dhe diplomatike, përkundër raportit të disfavorshëm të forcave policore dhe ushtarake, ishte jetik në këtë betejë.
Mirëpo, duket sikur sot ndërmjet dy vendeve nuk dominon i njëjti raport harmonik. Dhe këto dallime spikatën pikërisht në vigjilje të festës së Krishtlindjeve këtë vit, e të cilat kanë të bëjnë me rolin dhe përgjegjësinë e Serbisë lidhur me sulmin e 29 shtatorit mbi kanalin Ibër-Lepenc. Sulm ky, që e rrezikonte infrastrukturën kritike shtetërore. Natën vendimtare, por edhe gjatë ditëve në vijim, pushteti në Kosovë e akuzoi drejtpërdrejtë Beogradin si përgjegjës dhe orkestrues të këtij ataku, i inspiruar sipas metodave putiniste në Ukrainë.
Sidoqoftë, pa kaluar shumë kohë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se “është herët të dihet se kush është fajtor për sulmin dhe se në këtë fazë nuk mund të përjashtohet asnjë grup dhe asnjë shtet”. Një qëndrim pak a shumë të ngjashëm, ai e mbajti edhe në një intervistë në TVA, kur pohoi se “duhet të pritet derisa të kryhen hetimet dhe të keni rezultate të besueshme të tyre përpara se të ngarkoni dikë me përgjegjësi” .
Ndërkaq në anën tjetër, Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, para pak dite ka pohuar se SHBA-të, nuk kanë konstatuar prova që lidhin Beogradin zyrtar me shpërthimin e kanalit të Ibër-Lepencit në Kosovë, ndërsa theksoi se hetimet janë duke vijuar. “Mendoj se ka një dëshirë nga të gjitha anët për të zbuluar të vërtetën se kush e ka bërë këtë. Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë”, ka deklaruar në mesa tjerave Hill. Ndërkohë, të dy të dërguarit diplomatik të Uashingtonit, kanë pohuar se “Byroja Federale për Hetime (FBI) është përfshirë në hetimet që po ndodhin për sulmin e 29 nëntorit në strukturën e kanalit të Ibër-Lepencit në komunën veriore të Zubin Potokut”.
Ishte kjo disfatë diplomatike e Qeverisë së Kosovës për të siguruar mbështetje ndërkombëtare lidhur me këtë sulm, që e detyroi kryeministrin Kurti të dalë në një konferencë për shtyp edhe një herë me 24 dhjetor dhe të tregoi kush qëndron prapa këtij sulmi, sipas “informacioneve inteligjente që ai i posedon”. Kam shkruar edhe në te kaluarën se Kosova e ka jetike ta fitojë betejën e jashtme përkundër asaj të brendshme. Sepse pa suksesin e së parës edhe e dyta është e destinuar të dështojë.
Mjerisht, ngjarjet pak para kërshëndellave të këtij viti, treguan se sot Uashingtoni dhe Prishtina nuk e flasin të njëjtën gjuhë për rolin dhe përgjegjësinë e Serbisë. Dhe sa më shumë thellohet kjo humnerë aq me keq do të jetë për shtetin e Kosovës dhe në këtë mënyrë do të tjetërsohemi nga kërshëndellat e vitit 1992, të cilat ishin jetike në suksesin tonë kolektiv historik./tvarbëria/