Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ndryshim strategjie apo emrash për dialogun Kosovë-Serbi?

Ndryshim strategjie apo emrash për dialogun Kosovë-Serbi?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Brenda një jave dy takime të mbajtura në Bruksel, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi,përfunduan pa asnjë rezultat. Fillimisht dështoi takimi i paraparë për t’u zhvilluar ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti,  presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell, për shkak, se siç u tha i pari i Qeverisë së Kosovës, në momentet e fundit vendosi disa kushte paraprake për zhvillimin e dialogut.

 

Kurse, një takim tjetër trelateral në mes të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe  Petar Petkoviq,  me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajcak, po ashtu as pas shtatë orë negociatash, nuk dha ndonjë efekt konkret. Të dy palët e akuzuan njëra tjetrën për arsyet e dështimit. Ndërkohë,  M. Lajcak vetëm shkroi se kanë “diskutuar për një gamë të gjerë çështjesh dhe se kanë rënë dakord për një sërë hapash në vazhdim”, por pa dhënë deteja tjera për atë se çka është biseduar.

 

 

Dështime të tilla, përfaqësojnë vetëm një episod në mesin e një serie të shumë takimeve që janë mbajtur në Bruksel për gjatë një viti me ndërmjetësimin e Bashkimit e Evropian, por që nuk kanë dhënë rezultate. Që nga pajtimi i dy liderëve për Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe planin  zbatimit të Ohrit, Kosova dhe Serbia kanë mbetur te të njëjtat pozicione. E para kërkon nënshkrimin e këtij dokumenti si para kusht për zbatimin e saj, kurse Serbia e kërkon implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.  Ndërkohë jo po pak herë tensionet janë agravuar gjatë kësaj kohe.

 

Se procesi i dialogut është katandisur në një rrugë pa krye është konstatuar disa herë nga shumë analistë si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë.  Madje, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në disa raste i ka akuzuar ndërmjetësit e BE-së, se me qëndrimet e tyre e kanë braktisur pozicionin  neutral dhe qëndrimet e Serbisë i kanë përvetësuar si të tyret. Këto akuza janë bërë më të besueshme sidomos kur marrim parasysh faktin se si Josep Borrel ashtu edhe Mirosllav Lajcak vijnë nga dy vende që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

 

Prandaj, është shtuar shpresa se më zëvendësimin e tyre procesi do të mund të zhbllokohet duke i hapur rrugë zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas planit  franko-gjerman.  Ndërkohë, tashmë është konfirmuar se si përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri do të jetë kryeministra e Estonisë, Kaja Kallas. Dhe kjo e fundit është e njohur për qëndrimet e saj miqësore për Kosovën si personale, ashtu edhe të shtetit që e përfaqëson.

 

Nuk ka dyshime se ky zëvendësim mund të jetë një zhvillim pozitiv. Por se sa mund të ketë efekte radikale në dialogun Kosovës-Serbi, kjo do të varet edhe nga shumë faktorë tjerë, që i tejkalon ndryshimet koniuunkturale. Prandaj, më shumë se çështje emrash, që ky proces të vendoset në binarë pozitiv duhet ndryshim strategjie. Dhe këtë vështire se mund ta bëjë një person nëse mungon konsensusi në kuadër të Bashkimit Evropian, defekt ky që deri më tani e ka karakterizuar këtë strukturë supra-nacionale.

 

Mbase, nuk është e rastësishme që kohë më parë pas vizitës në Kosovë,me të kthyer në Britani, Sekretari i jashtëm i këtij shteti, David Cameron, e kishte kritikuar “edhe qasjen e Perëndimit ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në përgjithësi”. Sepse sipas tij, “kjo strategji ishte dizajnuar para sulmit agresiv të Rusisë mbi shtetin e Ukrainës. Kështu, për top-diplomatin britanik, ka ardhur koha për një kthesë tw domosdoshme diplomatike dhe politike në këtë drejtim. Ndërkaq, Parlementi Evropian, me anë të një rezolute kishte deklaruar se “mungesa e suksesit në dialogun Kosovë-Serbi e dëmton besueshmërinë e BE-së” edhe i bënte thirrje kësaj të fundit, që të “miratojë një qasje të re në ndërmjetësimin mes palëve në mënyrë që të tejkalohet ngecjet aktuale”.

 

Në këtë kontekst, para shefes se re të diplomacisë evropiane Kaja Kallas, një nga detyrat urgjente të saj do të jetë se sa do ta imponojë një strategji të re për dialogun Kosovë-Serbi me qëllim që të zhbllokohet rrethi vicioz aktual./TVARBËRIA

 

Powered by WordPress