Shkruan: Afrim Kasolli
Protesta e mbajtur në Beograd kundër regjimit të Aleksandër Vuqicit, po konsiderohet si njëra nga më masivet, e organizuar kohën e fundit në këtë shtet. Sipas, organizatës, Arkivi i Tubimeve Publike, në mitingun e 15 marsit në Beograd, ishin midis 275.000 dhe 325.000 njerëz. Ftesa për këtë manifestim gjithëpopullor u bë nga studentët. Serbia ka kohë që është përfshirë nga një valë e pakënaqësisë masive. E tëra filloi pas datës 1 nëntor të vitit të kaluar, ku si pasojë e shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor në qytetin e Novi Sadit, humben jetën mbi 15 persona. Riparimi i kulmit të këtij objekti ishte investim kinez. Studentët janë duke kërkuar përgjegjësi politike dhe penale për këtë tragjedi. Prej muajsh ata kanë bllokuar dhjetëra fakultete në Serbi, duke bllokuar ura dhe kryqëzime rrugësh.
Në dallim nga protestat e kaluara në këtë vend, sikur ato të viteve ’90 kundër regjimit të Milosheviqit që drejtoheshin nga opozita, si dhe ato që quan në shembjen e këtij regjimi nën drejtimin e asaj që u quaj si Lëvizja “Otpor”, protestat aktuale nuk kanë lider dhe adresë konkrete. Vendimmarrja për drejtimin tyre bëhet nëpërmjet plenumeve, një përpjekje për ta ruajtur karakterin autentik të demokracisë. Por një qasje e tillë nuk ka dyshim se është edhe strategjike, sepse në këtë mënyrë mund t’i iket presionit të sistemit. Më qëllim që të qetësohen gjakrat kohë më parë kishte dhënë dorëheqje kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq. Mirëpo, siç treguan ngjarjet e se së shtunës, sakrifikimi i kokës politike të ish-shefit të qeverisë serbe, dhe ish-kryetarit të qytetit të Novi Sadit, kur ishte restauruar kulmi i Stacionit Hekurudhor, nuk kanë prodhuar asnjë efekt. Për më shumë, studentët treguan se do ta mbajnë gjallë rezistencën. Presidenti serb, pas kësaj ngjarje deklaroi se “të gjithë njerëzit pushtet duhet ta kuptojnë mesazhin kur mblidhen kaq shumë njerëz. Ne do të duhet të ndryshojmë”.
Sidoqoftë, analistë të ndryshëm kanë vënë në pah se tragjedia në Novi Sad më shumë ka shërbyer si Maja e Ajsbergut për atë që ka ndodhur ndër vite në Serbi, se sa që ajo është shkaku i vetëm i këtij trazimi të shoqërisë serbe. Dhe ato kanë të bëjnë me natyrën e regjimit që e ka instaluar Aleksandër Vuciqi, që viti 2014, fillimisht si kryeministër dhe tri vite më pas si president i shtetit. Të gjitha organizatat serioze ndërkombëtare që merren me lirinë e medias, sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit, kanë dëshmuar kapjen që i ka ndodhur shtetit në Serbi nga Partia Progresive. Freedom House, ka konstatuar se që nga viti 2019 ky shtet ka degraduar nga të “qenit i lirë në atë pjesërisht i lirë, duke kujtuar sulmet mbi mediat si dhe koncentrimin e pushtetit në një dorë të vetme”. Regjimi aktual i ish-ministrit të informacionit në kohën e Milosheviqit, sipas Ivana Strander “është vështirë të kategorizohet. Sepse ai nuk është aq represiv, sa ai i Aleksandër Lukashenkos në Bjellorusi, por as aq tolerant, sa ai i Viktor Orbanit në Hungari”.
Në këtë kontekst, shumë kush më drejtë e ka shtruar pyetjen se a shënojnë këto protesta një mundësi demokratike për Serbinë? Apo ato janë vetëm shprehje e të njëjtës mendësi nacionaliste të kësaj shoqërie? Dhe dyshimet për skenarin e fundit nuk janë pa bazë. Sepse në këto protesta nuk është se mungojnë elementet ekstremiste. Kështu, mediumi Evropa e Lirë, ka ofruar dëshmi se si në to janë vënë re simbole të organizatave të ekstremit të djathtë si dhe flamuj të shumtë me hartën e Kosovës me mesazhin nuk ka dorëzim. Pra presidenti serb po atakohet prej tyre, jo pse po e saboton procesin e dialogut me Kosovën, por pse po tregohet tolerant sipas tyre.
Megjithatë, si masivizimi ashtu edhe plotësimi i kërkesave të kësaj lëvizje protestuese nuk është se nuk mund të mos ketë ndikim të tërthortë, nëse plotësohen disa parakushte edhe për Kosovën. E para çlirimi i sistemit juridik dhe mediave nga tutela e regjimit në fjalë e dëmton tej mase këtë të fundit. Sepse pushteti i Aleknsadër Vuciqi-it është pikërisht edhe si pasojë e uzurpimit që u ka bërë qendrave tjera të pavarura të pushtetit. Por për më shumë këto ngjarje mund ta diskreditojnë reputacionitn ndërkombëtar të liderit serb. Dhe është pikërisht kjo arritje e tij që ka pasur implikime negative edhe për Kosovën, sepse ka ndikuar që bashkësia ndërkombëtare të jetë tolerante ndaj sjelljeve të tij ambivalente dhe rolit destruktiv sa i përket sigurisë rajonale ashtu edhe cenimit të demokracisë së brendshme. Edhe pse sot e kësaj dite ekzistojnë dëshmi mbi sulmin paramilitar dhe terrorist në fshatin Banjë në shtator të para dy viteve, ky shtet e kaloi pa asnjë pasojë diplomatike dhe politike këtë atak në një shtet përgjegjës për sigurinë e të cilit është edhe Aleanca Veri-Atlantike.
Ndërkohë, siç kanë shkruar media të shumta perëndimore, në një botë gjithnjë e më multipolare Serbia sot paraqet një rëndësi strategjike ekonomike për Bashkimin Evropian , sidomos sa i përket pasurive minerale si litumi. Për Rusinë si një trampolinë e kahershme për mbajtjen peng të rajonit. Për Kinën një mundësi për ta shtrirë ndikimin e saj nëpërmjet iniciativës “Brezi dhe Rruga”. Kurse siç e dëshmoi vizita e fundit e djalit të presidentit amerikan, Trump Jr si dhe investimet e Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trumpit, tregojnë se tashmë lideri serb po imponohet si aset politik edhe për administratën aktuale amerikane. Në këtë kontekst, ky kryqëzim i interesave të shumëfishta ia ka mundësuar presidentit serb që të jetë komod edhe sa i përket edhe retorikës nacionaliste të tij. Kjo edhe është arsyeja pse Perëndimi ka qenë plotësisht i heshtur edhe nuk ka demonstruar ndonjë solidaritet të veçantë as me studentët. Mirëpo, nëse këto protesta arrijnë ta paktën ta minojnë pushtetin e brendshëm të Aleksandër Vuciqit, të paktën ky do ishte ndikimi i tërthortë në raport me Kosovën. Ngase kjo do të ishte një goditje edhe ndaj qasjes që kohën e fundit kanë ndjekur vendet perëndimore në raport me Serbinë. /TV Arbëria