Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ndikimi i fitores së Trumpit në rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë

Ndikimi i fitores së Trumpit në rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë

Shkruan: Afrim Kasolli

Një ditë pas fitores së kandidatit të Partisë Republikane për president, Donald Trump, u bë e ditur se Gjermania do të shkonte drejt zgjedhjeve të parakohshme. Pas shkarkimit të ministrit të Financave, Christian Lindner, të partisë së Demokratëve të Lirë nga kancelari Olaf Scholz, koalicioni qeveritar ndërmjet Social Demokratëve, Demokratëve të Lirë dhe të Gjelbërve hyri në një rënie të pariparueshme. Edhe pse mund te duket koincidencë, megjithatë shumë analistë ndërkombëtarë kanë vënë në pah se këto dy ngjarje pasqyrojnë disa nga trublunecat që mund t’i presin vendet evropiane nga rikthimi historik i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë, nuk kanë munguar as pandehmat se më këtë ndryshimin në drejtimin e superfuqisë planetare, përfitues real do të jenë vetëm partitë e popullzimit të djathtë edhe në kontinent.

Kjo fitore pa dyshim se mund të ketë implikime edhe në Kosovë, sidomos kur marrim parasysh faktin se vendi do të shkojë në zgjedhjet parlamentare me 9 shkurt të vitit 2025?

Të gjithë i dimë tensionet që kishin ekzistuar ndërmjet ish-administratës Trump dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atë veçanërisht me ish të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për Ballkanin Perëndimor, ish-ambasadorin e SHBA-ve në Gjermani, Richard Grenell. I pari madje e kishte akuzuar atë se nëpërmjet konsiparcioneve politike e kishte rrëzuar një qeveri demokratike, duke shkuar deri atje sa në Kuvendin e Kosovës ta ofendonte për shkak të orientimit të tij seksual. Ndërkohë para pak kohe, shefi i Qeverisë në një interviste për një media britanike, kishte deklaruar se me “kthimin e Presidentit Trump ka njëfarë stresi në të gjithë kontinentit dhe Kosova nuk është ndryshe” duke treguar qartë kështu antipatinë e tij për kandidatin republikan. E të mos flasim këtu për “intervenimin” në zgjedhjet parapake presidenciale amerikane, si dhe pjesëmarrjen së fundi në Konventën e Partisë Demokratike.

Shtohet pyetja se si do të reagojnë qytetarët e Kosovës ndaj kësaj kthese dramatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri më tani zyrtarisht kryeministri i Kosovës, formalisht është pajtuar me këtë fakt, duke i uruar zyrtarisht fitoren kandidatit republikan. Mirëpo, në prapaskenë nuk është se militantët e tij nuk janë angazhuar për ta definuar atë si një rrezik i ri për Kosovën. Prandaj, mbështetja masive politike për Albin Kurtin, sipas tyre, paraqet të vetmen mundësi për t’u mbrojtur atë nga ky kërcënim i ri.

Kurse partitë opozitare, ndonëse nuk e kanë shprehur publikisht, nuk është se nuk e kanë manifestuar një ngazëllim të “heshtur”, duke e parë atë si një levw shtesw që do ta kenë ne dorë për t’i bindur qytetarët e Kosovës se pse ata duhet të votohen, sepse vetëm në ketë mënyrë do të mund të ruhen raportet normale me Uashingtonin, në një kohë të vlimeve gjeopolitike, raporte këto që janë jetike për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës. Pra tashmë edhe kjo variabël do t’i shtohet faktorëve tjerë veprues në formësimin e vullnetit politik qytetar që do të manifestohet me 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

Kështu, mënyra se si do perceptojnë qytetarët e Kosovës rikthimin pushtet të Donald Turmp-it, pashmangshëm se do të ndikojë, ndonëse jo vetëm për këtë arsyeje, në rezultatin zgjedhor të partive politike në Kosovë. Nëse elektorati do ta shoh këtë kthesë si një mundësi që i jepet Kosovës për të dalë nga status quo-a ku është katandisur fati ndërkombëtar i shtetit dhe se ky objektiv nuk mund të arrihet ndryshe, pos me një koordinim më të madh me Shtëpinë e Bardhë, edhe për shkak të rolit asimetrik të Brukselit në procesin e dialogut, atëherë ky disponim do t’i hakmerret partisë në pushtet.

Madje, për dallim nga PDK dhe AAK, Lidhja Demokratike e Kosovës është duke tentuar për të shfrytëzuar më së shumti këtë ndryshim, duke i mëshuar tezës se me Donald Trumpin në krye të Shtëpisë së Bardhë janë krijuar kushte ideale për ta zbatuar Marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar në shtator të vitit 2020, ndërmjet ish-kryeministrit Abdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandër Vuciq. Ndonëse nuk duhet harruar faktin se para katër viteve pikërisht nga satanzimi i kësaj marrëveshje kishte përfituar më së shumti Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. LDK, ra në pikën më të ulët te mundshme. Kurse, heshtja tinëzare dhe strukja taktike ndaj kësaj fushate populiste e kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abixhiku, i krijoi atij favore atëbotë për t’u ngjitur në majat e partisë. Pra ndryshimet politike në LDK, nuk ishin asgjë tjetër, vetëm pasojë e nënshtrimit të kësaj partie ndaj klimës masive kundër kësaj marrëveshje, të nënshkruar nga vetë kryeministri i partisë së tyre.

Prandaj, nëse predominon sentimenti se me rikthimin e Donald Trump, tashmë i janë shtuar rreziqet dhe armiqësitë ndërkombëtare shtetit të Kosovës edhe me rrezikun e kthimit në tavolinë të planeve për ndarje territoriale, atëherë ky qëndrim mund shndërrohet në disponim masiv dhe përkrahje për pushtetin aktual. Fusha e lojës mbetet e hapur.

Powered by WordPress