Jo të gjithë zgjohemi me të njëjtin nivel urie në stomak. Njerëzit që hanë vonë natën (veçanërisht sasi më të mëdha) kanë më shumë gjasa të zgjohen pa shumë oreks.
Nga ana tjetër, ata që kanë ngrënë darkë më herët ka të ngjarë të ndihen të uritur sapo të hapin sytë.
Megjithatë, oreksi është një gjë komplekse. Niveli i hormoneve, zakonet e gjumit, plakja dhe faktorë të tjerë mund të ndikojnë nëse ndihemi të uritur në mëngjes, transmeton Telegrafi.
Ja çfarë mund të ndikojë në faktin që ndihemi të uritur sapo zgjohemi:
Keni një metabolizëm të shpejtë
Ndjenja e ngopjes varet kryesisht nga shpejtësia e metabolizmit të organizmit tuaj. Nëse jeni një sportist ose dikush me shumë masë muskulore, me siguri do të digjni më shumë kalori ndërsa flini.
Njerëzit me metabolizëm më të shpejtë mund të ndihen më të uritur në mëngjes sesa njerëzit me metabolizëm më të ngadaltë. Një metabolizëm i shpejtë do të thotë që trupi juaj e tret ushqimin më shpejt, kështu që duhet më shumë kohë për t’u ndjerë të ngopur ose mund të ndiheni më shpesh të uritur – thotë dietologia e regjistruar Kimberly Wiman, raporton Mind Body Green.
Gjendja mjekësore ju bën të uritur
Sa herë që një gjendje mjekësore ndryshon sheqerin tuaj në gjak, ekziston mundësia që të ndikojë në oreksin tuaj. Sidomos nëse keni diabet ose probleme të tjera të sheqerit në gjak.
– Njerëzit me diabet mund të përjetojnë një gjendje të quajtur fenomen agimi. Kjo shkaktohet nga sheqeri i lartë në gjak në mëngjes, i cili mund të çojë në rritjen e urisë – shpjegon Wiman.
Nuk flini mjaftueshëm
Gjumi është një faktor shpesh i anashkaluar, por i rëndësishëm në ndjenjën tonë të urisë. Studime të shumta tregojnë se gjumi i mirë dhe oreksi adekuat janë të lidhura. Mungesa e gjumit mendohet se zvogëlon ndjeshëm aftësinë e trurit për të rregulluar oreksin.