Teksa në mbrëmje pritet të luhet ndeshja mes Shqipërisë dhe Polonisë për Eliminatoret e Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”, grupe tifozësh kanë tentuar që mes flamujve dhe banderolave të futin në stadium flakadanë dhe lëndë të tjera piroteknike.
Policia ka ndaluar dhe shoqëruar në komisariat grupin e tifozëve, të cilën nuk i specifikon nëse janë shqiptarë apo polakë.
“Shërbimet e Policisë, mesditën e sotme, gjatë kontrolleve të ushtuara, kanë konstatuar se grupe tifozësh kanë tentuar që mes flamujve dhe banderolave që shërbejnë për dekor, të futin në stadium, një numër të konsiderueshëm flakadanësh, kapsollash dhe lëndësh të tjera piroteknike, të cilat janë sekuestruar nga shërbimet e Policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Për këto raste, Policia ka marrë masa për shoqërimin në Komisariat, të shtetasve përgjegjës, si dhe për çdo rast tjetër që do të konstatohet gjatë kësaj kohe, do të merren masa për shoqërimin dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës, shkruan rtsh.
Policia ka bërë apel për të gjithë tifozët që kanë vendosur të ndjekin në stadium ndeshjen e futbollit Shqipëri-Poloni, “që në asnjë rast të mos mbajnë me vete, gjatë hyrjes në stadium, dhe që në asnjë rast të mos tentojnë të futin në stadium, flakadanë apo lëndë të tjera piroteknike, sende të forta dhe metalike, monedha dhe banderola me përmbajtje raciste ose diskriminuese”.
Gjithashtu, policia bën thirrje që tifozët të mos mbulojnë fytyrën që e bën të pamundur identifikimin e tyre si dhe të mos dëmtojnë në asnjë mënyrë ulëset apo pajisje të tjera në stadium, pasi në të kundërt do të përballen “me sanksione penale konform ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë”.
/TV Arbëria