Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Ndërtimi i “urave elektorale” të paplanifikuara buxhetore

Ndërtimi i “urave elektorale” të paplanifikuara buxhetore

Shkruan: Afrim Kasolli

Gjatë ditës së djeshme kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me një pjesë të stafit të kabinetit qeveritar morën pjesë në vënien e gurëthemelit për ndërtimin e dy urave të reja në qytetin e Mitrovicës. Njëra prej tyre është e planifikuar të shërbejë për automjete, kurse tjetra për këmbësorë. Ato do të ndërtohen përbri urës kryesore që e ndan qytetin e Mitrovicës në pjesën veriore dhe jugore. Kjo e fundit që nga përfundimi i luftës nuk është e qasshme për automjete.

Vitin e kaluar Qeveria e Kosovës ishte zotuar se do ta rihapte atë. I madh e i vogël, pohonin se bashkësia ndërkombëtare nuk ka të drejtë në kundërshtimin e saj ndaj këtij plani. Dhe se hapja e saj është punë e kryer. Mjafton të bëhet testimi teknik i saj, ku më në fund ndarja mbi 20 vjeçare e këtij qyteti ikonik të Kosovës do të marrë fund. Mirëpo, pas presionit ndërkombëtar, pushteti u zbyth nga misioni i tij për “bashkimin” e këtij qyteti. Madje, supozohet se edhe ish-Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ëilliam Burns, gjatë një vizite rajonale, kishte qëndruar në Kosovë edhe për këtë arsyeje. Kurse ish-Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, në vazhdimësi deklaronte se“planet për hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, mund të ndikojnë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë”. Kurse Bashkimi Evropian ka kërkuar që kjo temë të adresohet në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Prandaj, siç duket nga pamundësia për ta realizuar qëllimin e sipër cekur, atëherë, Albin Kurti ka vendosur që krejt befas dhe papritmas ta kompensojë atë dështim, nëpërmjet ndërtimit të dy urave të “reja elektorale”. Ndaj kësaj nisme kanë reaguar diplomatë ndërkombëtarë.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se e “ mbështesin plotësisht thirrjen e Bashkimit Europian drejtuar autoriteteve kosovare që të përmbahen nga ndërtimi i dy kalimeve të reja të lumit Ibër në Mitrovicë. Në vend të veprimeve të pakoordinuara dhe potencialisht përshkallëzuese, siç është ndërtimi i dy urave të tjera, duhet të adresohen sfida shumë më urgjente” Për më shumë sipas të dërguarit të Berlinit në vendin tonë “riorientimi i burimeve të pakta publike të Kosovës drejt prioriteteve sociale të vetë qeverisë do të sillte përfitime shumë më të mëdha. Futja e sigurimit shëndetësor universal do të zgjeronte qasjen në kujdes dhe do të mbronte familjet nga kostot e larta mjekësore; rritja e shpenzimeve për arsim në nivelet mesatare europiane dhe rajonale do t’i përgatiste më mirë të rinjtë për tregun e punës; dhe forcimi i rrjeteve të sigurisë sociale do të nxiste kohezionin në të gjitha komunitetet dhe do t’i mbronte familjet nga goditjet ekonomike”. Ndaj kësaj kritike Albin Kurti është shprehur se “gjithçka që bëjmë ne është në përputhje me planet tona, sipas ligjit, dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve. Ata që kanë dilema, mund të na kontaktojnë lirisht dhe ne ua shpjegojmë me përpikëri”.

Ndërkohë, i sfiduar nga mediat, se a mund të konsiderohet ky investim si i motivuar nga qëllime elektorale për shkak të zgjedhjeve lokale (në vjeshtë, por që nuk përjashtohet mundësia as e atyre nacionale), kryeministri në detyrë i quajti pyetje të tilla thjesht spekulative dhe të panevojshme.

Por se kjo nismë mund të jetë e nxitur pikërisht nga ato arsyeje që Albin Kurti mëton t’i mohojë e dëshmon planifikimi buxhetor për vitin 2025. Ligji mbi Buxhetin ishte projektuar dhe miratuar nga Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti. Dhe askund si te shpenzimet kapitale, si ato të nivelit qendror, sa i përket ndërtimit të urave në Republikën e Kosovës, për qytetin e Mitrovicës, nuk është paraparë një investim i tillë. Që dëshmon se kjo nismë nuk mund të jetë ndryshe pos një veprim i ndërmarr nga kalkulimet e çastit. E tëra filloi “pas themelimit të Bordit të Përbashkët mes Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut” ku pa kaluar pak kohë, “Lëvizja Vetëvendosje publikoi projektin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër që lidhin jugun dhe veriun e Mitrovicës”.

Për më shumë, ditë më parë, ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, i është përgjigjur kritikave të LDK –së për bllokimin e fondeve për kryeqytetin se fajtore për këtë gjendje është edhe kjo parti, ngase duke e bllokuar konsitutimin e Kuvendit të Kosovës, e ka pamundësuar rishikimin e buxhetit. Prandaj, shtrohet një pyetje se pse për disa projekte lejohen investime pa rishikim të buxhetit e për tjerat jo. E kësaj valle iu bashkua edhe Partia Demokratike e Kosovës, pa e adresuar asnjë kritikë. Sidomos kur dihet në krye të qytetit të Mtirovicës aktualisht është njëri nga njohësit e dalluar të projeksioneve buxhetore. Por si duket presioni elektoral i imponuar nga Albin Kurti ka triumfuar mbi cdo kriter tjetër. Prandaj as këtij subjekti politik nuk i mbeti tjetër opsion pos ta reprodukojë retorikën e Albin Kurtit.

Ndërkohë, kohë më parë, organizatat të shoqërisë civile kishin dëshmuar se si planifikimi dhe zbatimi i shpenzimeve buxhetore ishte njëra nga pikat më të dobëta si të pushtetit qendror ashtu edhe atij lokal (natyrisht, jo vetëm gjatë këtij mandati). Sipas institutit GAP, edhe këtë vit Kosovën e ka veçuar shpërputhja ndërmjet mjeteve të dedikuara në Ligjin për Buxhetin për shpenzimet kapitale si dhe mos implementimin e tyre. Kështu, ndonëse për vitin 2025, janë buxhetuar rreth 927.8 milionë euro për investime kapitale” nuk duhet t krijohet iluzioni se bëhet fjalë për projekte të reja. Përkundrazi, “nga 833.6 milionë euro apo 90% janë planifikuar për vazhdimin e projekteve të mëhershme dhe rreth 94.2 milionë euro apo 10% janë planfikuar për projekte të reja kapitale. Kurse 75% (699.4 milionë euro) e gjithsej investimeve kapitale janë të buxhetuara për nivelin qendror, ndërkaq 25% (230.9 milionë euro) për nivelin lokal. Krahasuar me vitin 2024, në vitin 2025 investimet kapitale janë rritur për 71.1 milionë euro apo 8%”, konstaton ky raport.

Qasje kjo që dëshmon se si janë neglizhuar dhe shpërfillur ato investime për të cilat pushteti është zotuar se do t’i jetësonte, kurse në anën tjetër fillon të reja, të planifikuara e të pa projektuara nga presioni i nevojave elektorale./TV Arbëria