Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ndërmjet zhbllokimit ndërkombëtar të shtetësisë dhe sundimit të ligjit në veri

Ndërmjet zhbllokimit ndërkombëtar të shtetësisë dhe sundimit të ligjit në veri

 

Shkruan: Afrim Kasolli

Pak pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, pata shkruar se mos pranimi i vendit tonë në këtë organizatë evropiane e ka bërë të qartë edhe fatin ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë mënyrë, Kosova nuk do te këtë shansa për ta jetësuar agjendën euro-atlantike, pa e zbatuar Marrëveshjen bazike me Serbinë dhe aneksin e Marrëveshjes së Ohrit, me theks të veçantë, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kështu, zhbllokimi ndërkombëtar i Kosovës nuk është më vetëm peng i Rusisë, Kinës dhe shteteve tjera mos-njohëse , por edhe i partnerëve ndërkombëtar, roli i të cilëve ka qenë vital në procesin e shtet-ndërtimit të deri tanishëm. Sepse vet dështimi për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës e dëshmon këtë fakt. Në fund të fundit, ky dështim i sipër cekur kishte ndodhur, jo për shkak të ndikimit të Rusisë, por refuzimit vendeve perëndimore për ta proceduar këtë temë në momentet e fundit pranë Këshillit Ministror të kësaj organizate, për shkak të mos dërgimit të draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese.

Ndërkohë, deri sa vazhdon ky ngërç, Qeveria e Kosovës ndërmori disa aksione policore dhe ligjore për ta shtrirë autoritetin shtetëror në pjesën veriore. Mbyllja e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës, Bankës Popullore të Serbisë në veri të Kosovës, ndalimi i qarkullimit të dinarit serb si dhe konfiskimit të vilave të Milan Radoeqicit në afërsi të liqenit të Ujmanit, janë vetëm disa nga më te njohurat. Secili prej këtyre veprimeve u kritika nga shtetet e QUINT-it si një anshëm dhe që i kontribuon përshkallëzimit të tensioneve etnike në Kosovë. Një qëndrim të tillë bashkësia ndërkombëtare e ka përsëritur edhe lidhur me nismën e re të Qeverisë së Kosovës për ta ndërruar statusin e urës mbi lumin Ibër, që e ndan qytetin e Mitrovicës në pjesën veriore dhe jugore.

Sidoqoftë, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave veprime të tilla nuk është që nuk kanë pasur efekte në terren. Për këtë institut të njohur amerikan, Kosova është duke e fituar betejën e kontrollimit shumicës rebeluse serbe në veri, mirëpo paralelisht me këto fitore po zbehen gjasat për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Institucionet e Serbisë që kanë mbetur që nga koha e përfundimit të luftës në vitin 1999 dhe pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, janë duke u çmontuar , ndonëse potenciali për eskalim të dhunës mbetet tejet i lartë. Por a është kjo metoda e vetme për ta fituar vullnetin politik të shumicës serbe, mbetet tejet e dyshimtë për të mos thënë e pamundur. Shto këtu faktin, se tashmë kurrë me pak nuk kanë qenë të përfaqësuar politikisht qytetarët serbë të asaj pjese, për shkak të dështimit të referendumit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat në pjesën veriore.

Ndërkohë, shtegdalja nga bllokada ndërkombëtare ku gjendet Kosova është bërë një imperativ strategjik. A duhet të kërkojë shteti ynë rrugë alternative për ta realizuar këtë agjendë? Kjo dileme e ka ndarë edhe një herë kryeministrin Kurti dhe Presidenten Osmani.

I pari në një interviste për Zërin e Amerikës ka deklaruar se nuk mund te ketë plan B për këtë situatë. Sipas tij, Kosova e respekton marrëveshjet e dakordura në Bruksel dhe në Ohër, kurse zbatimi i tyre nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme. Kurse Presidentja Osmani deklaroi se nëse Serbia nuk është e gatshme t’i zbatojë obligimet e saj, Kosova duhet të diskutojë me aleatët ndërkombëtarë që nëse ajo i zbaton detyrimet e saj të ketë garancione të sigurisë nga partnerët dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Pra një lloj modeli që është ndjekur në të kaluarën me planin e Ahtisarit, gjatë negociatave të Vjenës.

Këto dallime shpërfaqin kakofoninë në të cilat ndodhet shteti i Kosovës sa i përket agjendës së dialogut. Sepse të dy pozicionet qëndrojnë në shpërputhje me kontekstin aktual. Ngase as historia nuk mund të përsëritet, por as ardhmja nuk mundë të ndërtohet duke shpërfillur atë.

Themes by WordPress