Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ndërmjet “utopise” së PSD-se dhe partive opozitare si instrument ideologjik i pushtetit për dominim

Ndërmjet “utopise” së PSD-se dhe partive opozitare si instrument ideologjik i pushtetit për dominim

Shkruan: Afrim Kasolli

Me shpërndarjen e Kuvendit pas dështimit për të zgjedhur Presidentin/en e re të shtetit, partitë politike kanë filluar t’i kristalizojne strategjitë e tyre elektorale.

Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë shihet qartë se si oferte kryesore ne këtë garë do ta ketë ribashkimin me Vjosa Osmanin. Partia Demokratike e Kosovës ka premtuar se do te ketë befasi në listën e saj zgjedhore. Ndërkohë disa zëra në parti janë shprehur në favor te rikthimit të Fatmir Limajt në parti. Kurse për herë të parë prej se ekziston si parti politike, në këto zgjedhje Ramush Haredinaj nuk do të jetë kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryeministër. Në vend të tij stafetës në këtë betejë do t’i prijë kryetari aktual i Komunes së Gjakovës, Ardian Gjini. Megjithatë të gjitha këto lëvizje vazhdojnë të jenë brenda skemës së riciklimit.

Ndërkohë, risia e këtyre zgjedhjeve do të jetë pjesëmarrja e Partisë Social Demokrate. Ky subjekt politik jo parlamentar nëpërmjet paraqitjeve të saj publike e ka bërë të ditur se prioritet të saj do ta ketë ringjalljen e opozites se munguar në Kosovë. Ajo e ka pozicionuar veten këto ditë me shumë kunder partive formale opozitare në Kosovë, sesa kundër pushtetit.

Në shikim të parë një qasje e tille duket si shërbim ndaj këtij të fundit. Por saktësisht është e kundërta. Dinamikat politike në Kosovë kanë dëshmuar se pikërisht sjelljet e opozitës së sotme. kanë qenë pengesë për ndryshim. Prandaj, tejkalimi i këtyre të fundit e shtron rrugën e çmontimit gradual te pushtetit të Albin Kurtit.

Mbase shumë kujt mund t’i duket utopik ky horizont, por Kosova sot me shumë se kurrë mbase ka nevojë për nje dozë te mendimit utopik si parakusht për ndryshim.

Këtë raport ndërmjet utopise dhe realiteti e ka analizuar sociologu i njohur Karl Manheim, në librin “Ideology and Utopia- An Intruduction to the Sociology of Knowledge”. Sipas ketij mendimtari që konsiderohet edhe si një nga etërit themlues të socilogjise se njohjes, koncepti i ideologjisë reflekton atë zbulim që derivon nga konfliktet politike kur mënyra e të menduarit të grupeve sunduese kapërthehet aq shumë nga situatat sociale sa që ato thjesht nuk janë në gjendje t’i shohin disa fakte të cilat e minojnë sensin e tyre të dominimit. Pra në mënyrë implicite nocioni “ideologjisë” e pasqyron atë realitet ku e “pavetëdijshmja kolektive”, i mbulon kushtet reale sociale si për vetveten ashtu edhe për të tjerët më qëllim që t’i stabilizoj ato.

Ndërkohë, e kundërt me këtë funksion të ideologjisë është utopia. Ndonëse, edhe kjo formë e mendimit nuk është se nuk vuan nga disa mangësi, megjithatë gjatë betejës politike disa struktura sociale, nëpërmjet saj janë të interesuara “intelektualisht” aq shumë në transformimin kushteve të dhëna sociale. Është e vërtetë, thotë profesor Menheim, se mendimi i tyre nuk është në gjendje ta diagnostifikoj në mënyrë korrekte realitetin ashtu siç është. Mbartësit e mendimit utopik nuk janë të preokupuar plotësisht se si realiteti ekziston, por më shumë me anë të mendimit të tyre utopik, ata kërkojnë vetëm ta ndryshojnë situatën. Ky mendim më shumë shërben si guidë për aksion. Nuk ka dyshim, se edhe brenda skemës së mendimit utopik, e “pavetëdijshmja kolektive”, e cila drejtohet nga një dëshirë për përfaqësim dhe vullnet për aksion, mbulohen disa aspekte të realitetit, por në saje të këtij veprimi kolektiv, kjo formë e mendimit ia del të demaskoj pretendimet e mendimit ideologjik, që ta stabilizoj një gjendje soci-politike, sipas interesave të atyre që e dominojnë.

Pikërisht esktrapolimi i këtyre kategorive sociologjike në kontekstin tonë social dhe politik, hedh dritë për disa nga arsyet kryesore se pse në skenën tonë politike prej se Lëvizja Vetëvendosje është etabluar në pushtet ka munguar opsioni i ndryshmit. Ngase si pushteti ashtu edhe opozita janë kapërthyer brenda së njëjtës skemë ideologjike, me qëllim që t’i ruajnë pozicionet e tyre dominuese politike dhe ekonomike. Konflikti i tyre formal është shprehje e të “pavetëdijshmes së tyre kolektive” për ta maskuar interesin e tyre real të përbashkët.

Pushteti u akomodua në institucione publike, kurse një pjesë e opozitës me shumë ishte e fokusuar në menaxhimin e bizneseve të tyre private të trashëguar nga koha e “regjimit te vjetë” . Të dy palët ishin të kënaqura me gjendjen. Kështu opozita me qëllim që t’i mirëmbajë interesat e saj private ekonomike u shndërrua në instrument ideologjik të pushtetit për ta stabilizuar këtë gjendje politike.

Pikërisht, ky dyzim dhe mpleksje e këtyre intersave ka treguar se pse kjo sjellje e opozitës i ka ndihmuar Albin Kurtit t’i shtrijë tentakulat e tij te pushtetit pa ndonjë rezistence. Dhe se minimi i këtij pushteti si hap fillestar duhet ta ketë tejkalimin e kësaj opozite. Ne këtë kontekst, beteja kundër kesaj opozite e privon pikërisht pushtetin aktual nga instrumenti kryesor i tij ideologjik për sundim. Dhe se pa këtë te fundit pashmangshëm do të shkërmoqet edhe pushteti i Lëvizjes Vetevendosjes si dhe do të hapen horizontet e reja te njëmendta për ndryshim në Kosovë.