Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ndërmjet rrezikut dhe përftimeve të inteligjencës artificiale

Ndërmjet rrezikut dhe përftimeve të inteligjencës artificiale

Shkruan: Afrim Kasolli – Që kur u zbuluan përfitimet dhe mundësitë e përdorimit të inteligjencës artificiale, nuk kanë munguar as shqetësimet dhe brengat mbi pasojat dhe efektet e saj negative që mund të ketë kjo botë.

Mendimtarë, kritikë, filozofë dhe humanistë kanë ngritur alarmimin mbi rrjedhojat e këtij zhvillimi të jashtëzakonshëm teknologjik. Sipas tyre nuk duhet të na shqitet nga mendja se ky progres mbart brenda vetes edhe regresin njerëzor. Se kurrë më shumë se në këtë rast nuk janë pleksur potencialet si të përparimit ashtu edhe të prapakthimit.

Para pak dite, historiani i njohur Izraelit, Yucal Noah Harari, në një bashkëbisedim për prestigjiozen britanike, “The Guardian” ka pohuar se me IA, sot na kanosen skenarë të rrezikshëm, të cilat të kombinuara së bashku mund të formësojnë një kërcënim ekzistencial për mbijetesën e njerëzimit, ashtu siç e kemi njohur atë për mijëra vjet.

Ai ka shtuar se ky model është i ndryshëm, nga të gjitha sistemet e deri tanishme teknologjike që janë shpikur gjatë historisë njerëzore. Ngase, sipas tij, IA është i pari model që mund të “vendos nga vetvetja, mund të krijojë ide, të mësojë dhe të zhvillohet po ashtu nga vetvetja”. Dhe në këtë mënyrë për herë të parë qeniet njerëzore do të gjenden në atë situatë, ku ata që e krijuan atë nuk do të jenë në gjendje ta kontrollojnë dhe kështu të parashohin rreziqet dhe problemet që mund të shkaktojë  ky zhvillim i sofistikuar teknologjik.

Sidoqoftë, frika mbi tjetërsimin që mund ta prodhojë kjo botë, kishte qenë një shqetësim i kahershëm i mendimit filozofik. Kështu, Leo Strauss-i, në veprën e tij “What is Political Philosphy”, tregon se madje njëra nga arsyet që teoricienët epokës antike kishin pasur qëndrim jo afirmativ edhe për demokracinë, kishte të bënte me faktin se ky sistem nuk mund të mbijetonte pa arsimin universal.

Mirëpo, që kjo të bëhej e mundur duhet të ndryshonte kuadri i jetës ekonomike në të cilin ata vepronin. E, inaugurimi i këtij ndryshimi kërkonte një emancipim radikal të teknologjisë nga kontrolli moral dhe politik. Çlirim, që u konsiderua i rrezikshëm. Prandaj, parashikimi profetik i këtyre mendimtarëve se “emancipimi i teknologjisë dhe arteve nga kontrolli moral dhe politik mund të shpjerë në katastrofa ose në dehumanizimin e njeriut, nuk është falsifikuar ende”.

Ndërkohë, sipas Hegelit edhe këtë zhvillim nuk mund ta shkëpusim nga krijimet e frymës njerëzore. Në veprën monumentale, “Fenomenologjia e Frymës”, si dhe në një sërë veprash tjera, mendimtari gjerman e kishte klasifikuar frymën njerëzore në tri pjesë; atë subjektive, objektive dhe absolute.

Fryma objektive përfshinte sipas tij, botën e “artefakteve” ( mjetet, punën, institucionet etj etj), me ketë rast intenca e prodhuesve mbijetonte thuajse në mënyrë të pavarur nga prodhimet e tyre. Duke marrë si shkas karakterin e kësaj bote, filozofi i njohur gjerman, Peter Sloterdijk, ka konstatuar se tashmë edhe inteligjenca artificiale nuk është asgjë tjetër, pos një term hibrid i këtij fenomeni të shprehur në frymën objektive.

Pra ajo që është objektive është inteligjenca e investuar në mjetet, punën dhe institucionet nga prodhuesit, e cila për pasojë ndarë nga ta absorbohet dhe aplikohet nga inteligjencat tjera ( fryma subjektive, nxënësit “pupils” përdoruesit).

Kështu, edhe sfera e inteligjencës artificiale është zhvilluar në pajtim me këtë prirje ekspansioniste, e cila në mënyrë të vazhdueshme ka penetruar të gjitha aspektet e ekzistencës. Prandaj, ekzistenca në një botë teknike karakterizohet nga një proces i vazhdueshëm i artificializimit. Kjo është arsyeja që qeniet njerëzore moderne e post-moderne, pohon P.Sloterdijk, jo vetëm që jetojnë në “shtëpinë e qenies” siç e quante Heideggeri gjuhën, “por tashmë ata banojnë në një ndërtesë të tenkosferes”.

E për Martin Heideggerin këtë zhvillim nuk guxojmë ta shohim të shkëputur nga esenca e tij. Kurse shpjegimi i kësaj esence, zuri një vend qendror në librin e tij të njohur, “ The Question Concerning Technology”.

Natyrën e këtij modeli ai e përshkruan me nocionin “Gestell”. Një term ky vështirë i përkthyer në gjuhët tjera. Por që e ka kuptimin e asaj që i përmbledh të gjitha në një “kornizë” në një vend. Pikërisht, ashtu siç grekët sipas Haideggeri-it e kishin konceptuar nocionin logos. Dhe nëse për Heraklitin, polemos-i (lufta) ishte logos-i i të gjitha gjërave, për mendimtarin gjerman, tashmë teknologjia ishte bërë “logos-i” ynë modern. Ajo “ e dominon natyrën, historinë, njerëzit madje dhe hyjnitë”.

Prandaj, mbajtja e distancës kritike në raport me efektet negative, manipuluese dhe shpërdoruese të kësaj bote artificiale, po shndërrohet gjithnjë e më tepër në një imperativ të kohës. Mirëpo, kjo nuk mund të bëhet pa i kultivuar ato forma të krijimit mendor dhe shpirtëror që e afirmojnë detyrimin e njeriut për të menduar.  Dhe në këtë mënyrë për të na mbrojtur nga potenciali “Frankenshtaini-an” që mund ta ketë çdo teknologji nëse del jashtë çdo kontrolli moral dhe politik njerëzor.

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Themes by WordPress