Shkruan: Afrim Kasolli
Fushata elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit megjithatë do të mbahet mend për konkurrencën ndërmjet frymës lideriste të Albin Kurtit në njërën anë dhe programeve qeverisëse të partive opozitare, në anën tjetër. Kur jemi në javën e dytë të kësaj ngjarje, partia në pushtet ende nuk u ka ofruar qytetarëve të Kosovës, asnjë dokument të shkruar se si do të qeveriste ajo për katër vitet e ardhshme, nëse do të jetë në pushtet.
Pjesën më ta madhe ajo është krenuar me arritjet dhe punën e bërë gjatë këtij mandati, duke e përçuar mesazhin se do ta vazhdojë të njëjtën frymë të drejtimit politik të vendit. “Çlirimi i veriut”, “përmbyllja e shtrirjes së sovranitetit të në çdo cep të Kosovës”, si dhe jetësimi i reformave në drejtësi, që sipas eksponentëve të pushtetit janë penguar nga opozita në konspiracion me sistemin juridik, e kanë dominuar retorikën politike të tyre.
Natyrisht, nuk kanë munguar as sulmet personale ndaj partive rivale. Duke i vlerësuar ato si miza( në këtë rast, LDK-në, apo duke e tjetërsuar akronimin në “Lydykyhi” e “Pydykyhi”), e që shumë shpejt populli do t’ia tregoje vendin këtyre insekteve. Apo edhe kualifikimi i tyre si bërllok nga ministri i punëve të Brendshme, e deri te ndarja e politike e vendit në dy kampe kryesore, në krahun idealist që ai e përfaqëson dhe zuzarët në anën tjetër etj.
Ndërkohë, partitë opozitare, në masë të madhe kanë tentuar që të shfaqen para qytetareve me programe qeveritare. Ato kanë premtuar, sidomos Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që ta fitojnë votën me zotimin për të investuar, e para mbi 6 miliardë euro, si dhe dyta me 5 miliardë, rritje ekonomike me 5 për qind etj. Kuptohet, programet e tyre mund të diskutohen sesa janë reale? A mos janë ato vetëm fontanë dëshirash? Apo ka gjasa që njëmend të zbatohen! Kjo edhe është arsyeja që shumë analistë kanë ngritur shqetësimin që në shumëçka pretimet e tyre janë konfuze dhe nuk rrefkëtojnë mundësitë buxhetore të vendit, (mirëpo, kjo është temë, që i tejkalon caqet e këtij shkrimi).
Sidoqoftë, kjo ndarje politike ndërmjet “programeve qeveritare të opozitës” dhe “frymës lideriste të pushtetit”, duke që nuk është e rastëishme. Strategjikisht në këtë mënyrë, partia në pushtet, duke i orientuar shumicën energjive politike rreth aureolës së liderit, kalkulon se në këtë terren gëzon një përparësi solide në raport me kundërshtarët e saj. Kurse, partitë opozitare për shkak të mungesës së një lideri “karizmatik” janë të detyruara që në masë të madhe mobilizimin politik në favor të tyre ta kërkojnë mbi bazën e asaj se çka ato ofrojnë si alternativë qeverisëse.
Megjithatë kjo diktomi nuk është pa pasoja politike. Sepse kurrë më shumë se në këto zgjedhje qytetarët e Kosovës nuk ndodhen para dy pyetjeve themelore, të cilat janë vendimtare për një demokraci. E para se kush duhet të na sundojë? Dhe e dyta pse i zgjedhim ata që kanë për të na qeverisur?/tvarbëria/