Shkruan: Afrim Kasolli
Kur kanë mbetur edhe pak orë nga skadimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, në opinionin publik përsëri është shpalosur dilema juridike dhe politike ndërmjet “detyrimeve kushtetuese” të deputeteve për të qëndruar në sallë ditën e votimit në mënyrë që të ketë kuorum për fillimin e procesit të votimit dhe “vullnetit të tyre autonom” politik, duke e shfrytëzuar bojkotin e votimit si e vetmja mundësi për t’i luftuar tendencat centraliste të partisë fituese të zgjedhjeve nga synimi për t’i kontrolluar të gjitha instancat kryesore të pushtetit në Kosovë.
Kryesisht artikules të tezës së parë janë bërë eksponentë të Lëvizjes së Vetëvendosje. Të njëjtit janë duke ngulmuar gjithnjë e më të tepër se “opozita është e detyruar të votojë për Presidentin”. Këtë qëndrim ditë më parë e mbrojti edhe vetë Kryeministri Kurti. Ai “pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaroi se Kushtetuta i obligon deputetët të votojnë”. Ngjashëm është shprehur edhe Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. Si referencë për këtë qëndrim, ata janë duke e shfrytëzuar këtë aktgjykimin kushtetues për rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacollit president në vitin 2011. Me këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje po insiston se ky aktgjykim qartazi e spcecikfon se “të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndjehen të obliguar” dhe se ata “duhet ta konsiderojnë si detyrë kushtetuese të tyre” zgjedhjen e presidentit.
Megjithatë, ky është një interpretim gjysmak dhe mjet për ta shtuar presionin politik të pushtetit mbi partitë opozitare nga intenca pikërisht ta mohuar kuptimisimin e plotë edhe të këtij aktgjykimi. Këtu duhet kujtuar se ishte vetë Lëvizja Vetëvendosje që me rastin e zgjedhjes së ish Presidentes Atifete Jahjaga, që e kishte shpërfillur këtë detyrim kushtetues, pak ditë pas publikimit të tij, duke mos qëndruar në seancë plenare ditën e votimit.
Por më kryesorja, jetësimi i këtij aktgjykimi ishte bërë i mundur vetëm pas marrëveshjes politike ndërmjet ish-Kryeministrit Hashim Thaci, nën emrin e Partisë Demokratike të Kosovës, ish-kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli.
Pra siç shihet qartë edhe në këtë rast ajo normë kushtetuese nuk është përdorur si mjet presioni juridik mbi deputetet, por si udhërrëfim për marrëveshje politike. Prandaj, duket që pikërisht mungesa e vullnetit nga Partia fituese e zgjedhjeve për akord politik me partitë opozitare për temën e Presidentit, po ndikon që të njëjtit kanë filluar të sajojnë këtë interpretim dogmatik sa i përket atij aktgjykimi (dhe disa të tjerave që janë publikuar në ndërkohë, e të cilat po ashtu në mënyrë të vazhdueshme e kanë potencuar edhe detyrimin kushtetues të partisë fituese të zgjedhjeve për marrëveshje politike në ndërtimin e institucioneve) e jo në tërësinë e tij juridike dhe politike.