Përgatiti: Afrim Kasolli
Nëse ka qytet që më shumë se asnjë tjetër e pasqyron edhe trendin e ndryshimeve elektorale në Kosovë, pa dyshim se mbetet Prizreni. Për shkak të trashëgimisë historike, rëndësisë politike dhe potencialit ekonomik ai është njëri nga qytetet që secila parti politike do ta lakmonte për ta administruar. Madje një kohë partia e dytë në Kosovë, nën drejtimin e Hashim Thacit e quante edhe si Jerusalemi politik i PDK-së. Që nga tkurrja elektorale e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e para e ka ruajtur një bazë solide elektorale, duke e humbur pushtetin komunal vetëm një herë nën mandatin e ish- kryetarit Mytaher Haskuka. Edhe në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 12 tetor pritet që gara ndërmjet këtyre dy subjekteve të jetë tejet e ashpër me shumë paqartësie dhe pasiguri sa i përket fituesit final. Është e pritshme që secili prek kandidatëve për kryetar komune përsëri ta përdor një retorikë me premtimin për shndërruar qytetin në një parajsë mbi tokë.
Shaqir Totaj, kryetari aktual i qytetit , dhe Artan Abrashi pretendenti për ta drejtuar atë, hynë në këtë betejë me përparësitë dhe dobësitë e tyre. I pari se e drejton atë dhe nëse qytetarët e vlerësojnë punën e deritanishme, atëherë ky disponim publik mund të përkthehet në një shans tjetër. Por nëse jo atëherë kjo mund të shndërrohet në hendikep. Kurse Lëvizja Vetëvendosje si parti kanë shënuar fitore në zgjedhjet nacionale me 9 shkurt, ndonëse në pamundësi për ta formuar një Qeveri legjitime që nga ajo kohë. Po ashtu, sic kanë dëshmuar zgjedhjet nacionale dhe lokale të vitit 2012 nuk do të thotë që suksesi në njërën prej tyre me automatizëm do të thotë edhe fitore në tjetrën.
Sidoqoftë, përtej këtyre trendeve politike një instrument tjetër në këtë beteje mund të jenë edhe pasqyrat statistikore sa i përket mënyrës së përdorimit të buxhetit të komunës. Sipas të dhënave të fundit të Insititutit GAP kjo komunë i ka siguruar 100 pikë sa i përket transparencës buxhetore. Ndërkohë, deri në shtator të vitit 2024, nga “78 premtime të qeverisjes aktuale lokale në Komunën e Prizrenit, 36 premtime janë përmbushur plotësisht (afër 50%), 20 premtime janë gjysmë të përmbushura (afër 25%), 15 janë në fazën fillestare të realizimit (rreth 16%) dhe 7 premtime ende nuk kanë filluar (9%)”. Mbetet të shihet se çfarë pasqyre do të ofrojnë të dhënat e reja.
E raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit vetëm për vitin 2024 ka gjetur disa parregullsi. Disa nga defektet në menaxhimin e buxhetit në këtë Komunë mund të veçohen;
“A 1 Shpalosjet e detyrimeve kontingjente të prezantuara në raportin vjetor financiar ishin mbivlerësuar për 2.324.215 euro, pasi që vlerat e regjistruara nuk përputheshin në dokumentacionin mbështetës të vendimeve gjyqësore
B1 Prezantim jo i drejtë i shpenzimeve si rezultat i keq klasifikimit në kategori të ndryshme ekonomike në vlerë prej 846. 846 eurove
C1 Në pesë raste, pasuritë në vijim në vlerë 645.857 euro që kanë të bëjnë më ndërtimin e objekteve arsimore, sportive dhe rrugëve lokale nuk ishin regjistruar në SIMFK dhe shkaktuan nënvlerësim të pasurisë në raportin financiar për këtë shumë; dhe
A2 Shpalosjet e llogarive të arkëtueshme të prezantuara në raportin financiar ishin mbivlerësuar për 71, 074 euro, për shkak të mos azhurimit të regjistrit të të arkëtueshmeve me pagesat e operatorëve,
A 3 Në një (1)rast të kontratës “ Ndërtimi i Qendrës Kulturore Turke” në vlerë prej 1.696.285 euro ishte bërë ndryshim i paramasës pa aprovim paraprak nga menaxhementi dhe nuk ishte azhurnuar kontrata në kushtet e reja,
B2 Në tre raste(3) të projekteve për ndërtimin e infrastrukturës, ishte bërë inicimi i procedurave të prokurimit pa fonde të mjaftueshme
A4 Në katër raste (4), Komuna kishte bërë subvencionin e OJQ-ve në kundërshtim me kriteret e përcaktuara më rregullore,
B3 Në gjashtë raste (6), faturat në total pre 653.686 euro, kishte vonesë në pagesë prej 15 deri ne 213 ditës pas afatit të lejuar për pagesë”( (Zyra e Auditimit të Kosovës, faqe 4-5).
Sidoqoftë, si çështja më acaruese që e ka ndezur debatin politik në këtë komunë ndërmjet këtyre dy subjekteve politike, nuk ka dyshim se mbetet ngritja e aktakuzës ndaj dy zyrtarëve komunalë të Prizrenit, nën dyshimin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke i shkaktuar dëm Ministrisë së Kulturës në vlerë afër 16 milionë euro në rastin e rrënimit të kompleksit “Saraji i Vjetër”. Këtu është fjala për Drejtorin e Urbanizmit, Pranverim Berisha. Ky i fundit e ka konsideruar këtë veprim të motivuar politikisht nga një prokuror i kapur dhe shërbëtor i regjimit të Albin Kurtit konkretisht Hajrullah Çekut. Kurse ministri në detyrë i Kulturës, ka pohuar se “është vërtetuar ajo që e kanë thënë nga fillimit, ku rrënimi i paligjshëm i “Sarajit të Vjetër” në Prizren nuk ishte gabim, por shkelje e rëndë me pasoja të pariparueshme për trashëgiminë kulturore”.