Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ndërmjet gjuhës ekonomike të opozitës dhe retorikës politike të pushtetit

Ndërmjet gjuhës ekonomike të opozitës dhe retorikës politike të pushtetit

Shkruan: Afrim Kasolli- Sa më shumë që po afrohen zgjedhjet aq më shumë opozita po tenton ta shfaqë vetën si një alternativë ekonomike ndaj pushtetit aktual. Po i mëshon idesë se si Lëvizja Vetëvendosje gjatë këtij mandati ka dështuar të ofrojë perspektivë ekonomike për qytetarët e Kosovës. Dhe se e tërë performacanca e këtij pushteti ka qenë shprehje e logjikës tipike populiste. 

Mungesa e investimeve kapitale, inflacioni, ikja e të rinjve drejt vendeve perëndimore, janë vetëm disa nga argumentet statistikore, që përfaqësuesit e kampit opozitar po i përdorin në publik për të justifikuar pretendimet e tyre. Në këtë drejtim janë dalluar kohët e fundit deputetët e LDK-së, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti etj.

Kurse, Partia Demokratike e Kosovës, para pak dite e ka nominuar si kandidat për kryeministër, kryetarin aktual të qytetit të Mitrovicës Bedri Hamza, i njohur ky si ekspert në këtë fushë, për të treguar para opinionit publik, se oferta e këtij subjekti do të ndërtohet kryesisht në terma ekonomik, cilësi këto që sipas kësaj partie i mungojnë kryeministrit Albin Kurti. Ndërkohë, edhe ministra të kabinetit qeveritar po i kundërvihen kësaj fushate me statistikat e tyre duke synuar ta dëshmojnë të kundërtën. Në këtë drejtim është dalluar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Në shikim të parë kjo qasje e opozitës duket racionale. Në fund të fundit, sipas anketimeve publike “papunësia dhe varfëria janë renditur si dy nga preokupimet kryesore të shumicës së tyre”. Sipas matjeve të UNDP-së, tri çështjet kryesore më të raportuara gjatë kësaj ankete “ishin varfëria (28.6%), papunësia (19.2%) dhe çmimet për artikuj të domosdoshëm (8.9%), duke u pasuar nga shërbimet e kujdesit shëndetësor (8%) dhe problemet e hapësirës urbane (3.8%)”.

Ndërkohë, po ashtu kohë më parë hulumtimet e kësaj organizate në punimin “Shqyrtimi i dinamikës së varfërisë së amvisërive përballë inflacionit”, kishin treguar se gjatë 2 viteve të fundit ishte thelluar varfëria në Kosovës. Kurse në fund të vitit të kaluar, Organizata GAP, duke u bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore,  e pat pasqyruar faktin, se si ishin shtuar mbitërheqjet financiare nga qytetarët e Kosovës për nevoja konsumuese.

Kështu, sipas këtyre statistikave“gjendja e mbitërheqjeve nga bizneset dhe ekonomitë familjare në fund të dhjetorit 2023 ishte rreth 472 milionë euro, apo për 57 milionë euro (13.7%) më e lartë se në dhjetor 2022. Veçmas pas vitit 2020, vërehet një rritje e ndjeshme e kësaj kategorie”. Prandaj, është logjike që në këto rrethana që dështimi apo suksesi elektoral të kushtëzohet kryesisht nga dinamikat ekonomike dhe sociale.

Mirëpo, përtej diskutimit mbi parimet e “homo economicus”, pushteti në Kosovë  po  shfrytëzon edhe një kartë tjetër, në funksion të qëllimeve të tij politike, e që në këtë rast opozita  duket të jetë ende ne konfuzion në raport me të. Mungesën e rezultateve qeverisëse ekonomike, po e kompenson me temën e rikthimit të sovranitetit të vendit, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pjesën veriore, çmontimin e ndikimit të Beogradit në atë pjesë, ndalimin e dinarit, e deri te sekuestrimi i vilave të Milan Radojeciqit  etj etj.  Dhe nuk ka dyshim se veprime të tilla ngjallin emocione, pasione dhe entuziazëm momental politik. Sepse politika është edhe antagonizëm, e ky i fundit nuk mbahet gjallë pa “armë” të tilla “shpirtërore”. Askund nuk kristalizohet mobilizimi politik më shumë se sa në raportet ndërmjet “mikut dhe armikut”. Në këtë rast, është e pamjaftueshme vetëm gjuha ekonomike, pa ngarkesat identitare, kulturore dhe ideologjike.

Madje ky fenomen nuk është duke ndodhur vetëm në Kosovë. Asnjë nga sukseset e lëvizjeve populiste, edhe në vendet perëndimore, nuk do të mund të kuptohen pa shfrytëzimin e këtyre pasioneve nga retorika politike. Politologu i njohur amerikan me origjinë indiane, Fareed Zakaria, në librin e ri të sapo botuar, “Age of Revolutions: Progress and Backlash from 1600 to the Present” ka dëshmuar se si ka kohë që për shkak të karakterit gjithnjë e më “tribal të politikës”, perfromenaca ekonomike nuk po luan më rolë primar në betejat elektorale.

Bie fjala slogani “Make America Great Again” (MAGA) nuk është se ka bazë në realitet, por megjithatë kjo thirrje po tregohet e dobishme në aspektin politik. Apo nw rastin e Gjermanisë, lidhur me ngritjen  e Alternativës për Gjermaninë (AfD). Kjo parti në vazhdimësi e ka alarmuar opinionin për rrezikun ekonomik dhe kulturor që e paraqesin për atë shtet imigrantët, përkundër fakteve që dëshmojnë se që Gjermania të jetë në gjendje ta mirëmbaj ritmin e saj ekonomik, i duhen edhe me shumë punëtorë të huaj. Pra rreziku vjen jo nga teprica e tyre, por nga numri jo i mjaftueshëm i kësaj kategorie. Mirëpo, këto fakte nuk e kanë penguar atë parti që të fuqizohet gjithnjë e më shumë, duke u bërë sot për sot partia e dytë ne vend, me tendencë rritje edhe me të madhe.

Këto kontradikta mbase mund të hedhin dritë edhe mbi disa nga paradokset politike që po kalon shteti i Kosovës.  Sipas të dhënave të sipër cekura edhe pse qytetarët e këtij vendi i konsiderojnë varfërinë dhe papunësinë si dy nga sfidat kryesore jetësore, megjithatë pikërisht pushteti që ka pasur për detyrë t’i zgjidh këto telashe, ende vazhdon të jenë më i preferuari sipas hulumtimeve të opinionit. Në këtë kontekst, kjo do të jetë sfida kryesore e modelit opozitar që aktualisht është duke e ndjekur për ta diskredituar pushtetin, sa do jetë në gjendje që të bëhet si ky i fundit me qëllim që ta mund atë?

/TV Arbëria 

 

 

 

Powered by WordPress