Përgatiti: Afrim Kasolli
Ka qenë iluzion se Kosova mund të anëtarësohet në Këshill të Evropës, pa bërë hapa konkretë në drejtim të zbatimit të obligimeve që dalin nga Marrëveshja bazike e Brukselit si dhe aneksi i sekuencimit të dakorduar në Ohër ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Kuptohet këtu është fjala për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Siç dihet, zvarritjen e këtij procesi, pushteti në Kosovë deri më tani e arsyetonte me mungesën e gatishmërisë së presidentit serb për ta nënshkruar atë. Mirëpo, për Bashkimin Evropian, si interpretues dhe garantues zyrtar i kësaj marrëveshje, ashtu edhe për SHBA-të, tashmë plani franko gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve kishte karakter obligativ ligjor ndërkombëtar, dhe asnjëra palë nuk mund t’i shmanget këtij detyrimi.
Kjo gjë ishte bërë e qartë që në komunikatën e parë zyrtare të kësaj organizate kur ishte pranuar aplikimi i Kosovës për në Këshill të Evropës. Atë botë, thuhej se ky trup e mori në konsideratë këtë aplikim duke marrë parasysh, edhe marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023, të arritura në dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rëndësinë që të gjitha palët t’i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. Ndërkohë, pos këtij kriteri ndërkombëtar, mbi Kosovën rëndonte edhe detyrimi për ta zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit. Në vazhdimësi vendet e Quniti-it kishin deklaruar“se moszbatimi i këtij vendimi e pengon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.
Sidoqoftë, përfaqësuesit e Qeverisë gjatë gjithë kohës mundoheshin t’i relativizonin para opinionit këto kritere. T’i konsideronin si propagandë e mediave e opozitës dhe që nuk kanë bazë në realitet. Tentonin ta ushqenin publikun me narracionin se Kosova në këtë rast po shpërblehej për shkak të progresit demokratik që ka bërë. Dhe se bota po e favorizon Kosovën vetëm për shkak ndryshimeve që kanë ndodhur me synim krijimin e percepcionit se më në fund në Kosovë ndodhet në pushtet një parti e cila pa bërë kompromise me Serbinë, po ia del ta zhbllokojë procesin e konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë. Se i tërë ky interpretim ishte vetëm për nevoja të brendshme politike dhe elektorale u pa ditën që kryeministri Kurti i dha urdhër Agjencisë Kadastrale për regjistrimin e 24 hektarëve tokë si pronë e Manastirit.
Por pa kaluar shumë kohë, u kuptua se radhën tash e ka fillimi i procedurave për themelimin e Asociacionit. Gjatë një interviste për REL, i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabrell Esobar, deklaroi se përpos vendimit të sipër cekur, para shtetit tonë janë edhe dy kushte tjera me qëllim që të finalizohet ky proces, ai për themelimin Asociacionit dhe për shpronësimin e pronave në veri. Ndërkohë, jo shumë kohë më parë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kishte deklaruar se këto do të jenë javët dhe ditët vendimtare mbi detyrat që e presin Qeverinë e Kosovës në raport me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. Kurse, gjatë një bisede telefonike që e kishte zhvilluar, Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brein, me presidenten Osmani, kjo e fundit pat deklaruar se me zyrtarin e lartë të administratës amerikane kanë biseduar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes së Brukselit.
Ndërkaq, në anën tjetër pushteti në Kosovë edhe në këtë rast po vazhdonte lojën e dyfishtë në raport me këtë detyrim. Në njërën anë, zotohej dhe betohej me letra zyrtare para raportueses për Kosovën në Këshill të Evropës, Dora Bokojanis, se do ta themelojnë këtë entitet, kurse para opinionit të brendshëm, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, deklaronte se ky veprim është thjesht një zotim formal dhe nuk është e thënë se do të ndodh edhe në praktik. Pra me anë të këtyre driblimeve po tentojmë ta mashtrojmë edhe Këshillin e Evropës, ashtu si edhe opinionin e brendshëm.
Mirëpo, është e qartë se kësaj loje të dyfishtë që nga dje i erdhi fundi edhe zyrtarisht. Në raportin e përpiluar, nga deputetja greke, Dora Bakoyannis, i cili do të hedhet sot për votim nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, në orët e fundit është bërë një ndryshim me propozimin e Italisë, sipas të cilit, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do duhet të shërbejë si kusht i para anëtarisimit të Kosovës në këtë organizatë evropiane. Pra, nëse ky raport e merr edhe dritën jeshile, është e vërtetë se do ta afrojë Kosovën edhe më shumë drejt këtij anëtarsimi, por që ky rrugëtim të bëhet plotësisht realitet dhe të mos dështojë në çastet finale, atëherë Albin Kurtit i duhet ta tradhtojë edhe njërin prej kauzave të tij kryesore elektorale. Zgjidhjet e ndërmjetme i ka shpenzuar vete pushteti me strategjinë që ka ndjekur deri më tani.
/TV Arbëria