Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë një vizite- homazh në ambasadën e Selisë së Shenjtë në Tiranë, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Papa Benediktin XVI, i cili më 31 dhjetor, në moshën 95-vjeçare, ndërroi jetë.
Begaj, në mesazhin e tij që shkroi në librin e hapur nga ambasada e Selisë së Shenjtë në Tiranë, ka nënvizuar se “vlerësimi i tij për harmoninë fetare në Shqipëri do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë “.
“Një filozof dhe teolog i madh, një Papë i dedikuar ndaj besimtarëve të Tij; Papa Emeritus Benedikti i XVI ishte një figurë e rëndësishme jo vetëm për katolicizmin, por për mbarë njerëzimin. Vlerësimi i tij për harmoninë fetare në Shqipëri do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë. I shoqëruar nga Nunci Apostolik, imzot Luigi Bonazzi, shpreha sot ngushëllimet e mia më të sinqerta në Librin e hapur posaçërisht në Ambasadën e Selisë së Shenjtë në Tiranë. U prehtë në paqen e përjetshme”, shkruan presidenti Begaj, në faqen e tij sociale, Facebook./rtsh.al/