Rasti për konflikt interesi ndaj Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që po trajtohej në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, tashmë ka marrë epilog. Në fund të shtatorit, kjo agjenci ka dalë me vendim për mbylljen e rastit me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme që e argumentojnë dyshimin e arsyeshëm për ekzistimin e konfliktit të interesit për ekzistimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Ky rast kishte përfunduar në APK, pas publikimit të listës preliminare të përfituesve në thirrjen publike për “Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore 2024”, të Ministrisë së Kulturës, ku në mesin OJQ’ve përfituese ishin “EC Ma Ndryshe” dhe “Fondacioni Lumbardhi”. Për të parën ishin ndarë 257 mijë euro për tri vjet, e për të dytën 187 mijë euro. Tek Organizata “EC Ma Ndryshe”, Çeku ka qenë vite më parë Drejtor, derisa tek “Fondacioni Lumbardhi”, ka qenë ndër themeluesit dhe pjesë e bordit.
Në vendimin e APK’së përmendet një takim që është mbajtur me Çekun për këtë rast, ku ai citohet të ketë thënë se nga tetori i vitit 2017 ka ndërprerë të gjitha angazhimet në organizatat e shoqërisë civile dhe se më s’është angazhuar në këtë sektor meqë nga viti 2019 ka vazhduar aktivitetin politik.
Në vendim citohet deklarata që Çeku ia kishte dërguar Agjencisë, ku thuhej “Që nga tetori i vitit 2017, nuk jam pjesë e organizatës EC Ma Ndryshe, pasi në atë periudhë kam nisur një angazhim të ri jashtë Republikës së Kosovës. Deri në tetorin e vitit 2017 kam qenë pjesë e stafit të kësaj organizate, ndërsa pas njoftimit për angazhimin e ri, paga e fundit që kam pranuar nga EC Ma Ndryshe është e datës 30 tetor 2017”.
Sa i përket angazhimit në Fondacionin Lumbardhi, Çeku citohet të ketë thënë se ka qenë pjesë e Bordit, por se nuk ka marrë asnjë cent dhe se nga qershori i vitit 2018 s’ka marrë më pjesë në asnjë mbledhje.
“Bashkangjitur mund ta gjeni dëshminë e ndërprerjes së angazhimit edhe në Organizatën Fondacioni Lumbardhi, ku në momentin e largimit kam qenë i angazhuar si pjesë e Bordit, por asnjëherë nuk kam pasur kompensim financiar për angazhimin tim brenda kësaj organizate”, thuhet në arsyetim të vendimit.
Për dy OJQ’të që dikur kishte qenë pjesë, Çeku nuk i ka kursyer lavdatat, duke theksuar se janë mbështetur nga Ministria edhe para se ai të ishte Ministër.
“Pra, si në rastin e EC Ma Ndryshe ashtu edhe Fondacionit Lumbardhi, bëhet fjalë për organizata serioze të shoqërisë civile të profilizuara në kulturë e trashëgimi kulturore, që janë mbështetur nga MKRS edhe para se unë të marr detyrën e ministrit, me buxhete të konsiderueshme dhe financim nga donatorë të ndryshëm dhe gjithsesi me ndikim të dëshmuar në fushat ku veprojnë”, citohet të ketë thënë Çeku në letrën drejtuar Agjencisë.
Pas analizimit të këtyre pretendimeve të Çekut, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ka konstatuar se nuk ka prova të mjaftueshme që e argumentojnë dyshimin e arsyeshëm për ekzistimin e konfliktit të interesit për Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Pra, duke qenë se zyrtari i lartë z.Hajrullah Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sikurse u konstatua më lartë, nuk është anëtar i ndonjë organi drejtues, e as nuk mban funksione tjera drejtuese në OJQ’të përkatëse, Agjencia konstaton se pretendimet e ngritura në rastin konkret nuk përbëjnë konflikt të interesit, sikurse ndalet apo kufizimet në kuptim të dispozitave të sipërcituara të Lgjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, nuk vlejnë në situatën konkrete me rastin e ndarjeve buxhetore të MKRS’së për projektet e OJQ’ve në fjalë”, thuhet në vendim.
Çeku ka kërkuar që Agjencia ta trajtojë edhe një rast ku një qytetar në një postim në Facebook, ka pretenduar se Ministri ia ka ndarë vëllait të tij 257 mijë euro nga fondet publike dhe e akuzonte për hajni.
Sa i përket vëllait të tij, Çeku ka thënë se ai nuk ka qenë asnjëherë anëtar apo staf i organizatës “EC ma Ndryshe”.
Çeku i ka dërguar agjencisë një vërtetim të lëshuar nga kjo organizatë ku thuhet se i njëjti është angazhuar me kontrata për shërbime të veçanta, saktësisht shtatë.
“F.Ç…ka qenë i angazhuar me kontrata për shërbime të veçanta në Organizatën Jo Qeveritare Emancipimi Civil Ma Ndryshe (EC Ma Ndryshe). Z.F.Q nuk ka qenë asnjëherë anëtar apo staf i organizatës “EC Ma Ndryshe”. Angazhimi i tij për shërbime specifike është realizuar përmes shtatë kontratave të veçanta për shërbime në total, gjashtë në vitin 2018 dhe një në vitin 2019.”, vërteti I ojq’së, që i ka dërguar Çeku”, citohet të thuhet në këtë vërtetim.
Agjencia thotë se ka bërë verifikimet e nevojshme me Departamentin përkatës të OJQ’ve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nuk ka gjetur se F.Ç, vëllai i Hajrullah Çekut të ketë qenë anëtar i organit drejtues, të ketë pasur ndonjë funksion tjetër drejtues apo të ketë qenë staf i organizatës “EC Ma Ndryshe”.
“Prandaj, në rastin konkret, është fakt që F.Ç, është person i afërm (vëllai) i zyrtarit të lartë z.Hajrulla Çeku, por, nuk është gjetur që në kuptim të dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, Ministri Çeku të ketë qenë pjesë e ndonjë vendimmarrjeje në raport me personin e afërt të tij, sikurse as F.Ç – personi i afërt i ministrit Çeku të ketë qenë pjesë e procesit të aplikimit përmes OJQ’së “EC Ma Ndryshe”.
Kësisoji, përveç se në rastin konkret mungon vendimmarrja apo çastet paraprake të vendimarrjes nga zyrtari i lartë z.Hajrulla ÇEKU (si kusht I domosdoshëm kumulativ), mungon njëkohësisht edhe pjesëmarrja në procesin e aplikimit për projektin në fjalë e personit të afërm (vëllait) të zyrtarit të lartë, çfarë e përjashton konfliktin e interesit, ndalesat apo kufizimet e përcaktuara me dispozitat e sipërcituara të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”, thuhet në vendim.