Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ndalen punimet në një objekt në Fushë Kosovë, Inspektorati gjen shkelje të rënda të sigurisë

Ndalen punimet në një objekt në Fushë Kosovë, Inspektorati gjen shkelje të rënda të sigurisë

Inspektorati Qendror i Punës (IQP) ka ndaluar punimet në një objekt në ndërtim në rrugën “Elez Berisha” në Fushë Kosovë, pasi gjatë inspektimit ka konstatuar shkelje që rrezikonin jetën dhe shëndetin e punëtorëve.

IQP njoftoi se inspektimi është kryer menjëherë pasi institucioni është njoftuar për rrezikun serioz që paraqiste vendpunishtja, e cila ndodhet përballë objektit të AAB-së.

”Gjatë inspektimit në objektin në ndërtim, inspektorët kanë evidentuar mungesën e mbyllësve anësorë mbrojtës të skelave, mungesën e fiksimit (ankorimit) të skelave, si dhe hapësira të tjera të hapura në objekt, të cilat paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e punëtorëve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Për shkak të këtyre shkeljeve dhe me qëllim të parandalimit të rrezikut, IQP tha de “është marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe vendosjen e shiritit zyrtar të ndalimit në vendpunishte”.

“Inspektorati Qendror i Punës mbetet i përkushtuar në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe do të vazhdojë të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore ndaj çdo subjekti që nuk respekton kërkesat për siguri dhe shëndet në punë”, thuhet në njoftim.