Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Ndahen 40 milionë euro shtesë për Ushtrinë e Kosovës

Ndahen 40 milionë euro shtesë për Ushtrinë e Kosovës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, ka marrë vendim për ndarjen e 40 milionë eurove për Ushtrinë e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria është e përkushtuar për anëtarësimin në NATO.

“Ndër vendimet tjera, sot kemi edhe vendimin për ndarjen e buxhetit shtesë për Forcën e Sigurisë së Kosovës në vlerë prej 40 milionë euro, dhe me këtë ndarje, shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje sivjet tejkalon nivelin prej 200 milionë euro, apo mbi 2% të Bruto produktit Vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s”, tha Kurti.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se duke investuar në ushtri po investojmë në sigurinë e qytetarëve tanë dhe në mbrojtjen e integritetit të territorit të Republikës së Kosovës.

“Në mbledhjen e sotme të qeverisë u ndanë dhe 40 milionë euro shtesë për ushtrinë tonë, duke tejkaluar kështu buxhetin prej 200 milionë eurove, apo mbi 2% e BPV, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s”, ka shkruar Maqedonci.

Kurse ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se 40 milionë euro do të ndahen për FSK-në duke arritur shifrën totale mbi 200 milionë euro që është mbi 2 për qind e GDP-së. /Telegrafi/

Powered by WordPress