Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” ua ka kushtuar një artikull tensioneve të fundit në veri në dritën e synimeve të Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër dhe qortimeve të rënda ndërkombëtare kundër një veprimi të tillë, me një zyrtar të lartë të NATO, i cili i tha mediumit ndërkombëtar se ata janë “rreptësishtë kundër një përpjekjeje të njëanshme për të hapur urën”.
“Ne jemi rreptësisht kundër një përpjekjeje të njëanshme për të hapur urën. Nuk duam të rrezikojmë çfarëdo lloj dhune që do të rrezikonte ushtarët e KFOR-it”, citohet të ketë deklaruar zyrtari i lartë i NATO-s.
Duke u thirrur në burimet e veta, Reuters shkruan se thirrje për kujdes pati edhe nga shefi i CIA-s William Burns gjatë vizitës së tij në Kosovë.
“Zyrtarët perëndimorë e kanë paralajmëruar Kurtin se hapja mund të shkaktojë dhunë etnike dhe të rrezikojë trupat e NATO-s të vendosura atje. Zyrtarët e NATO-s kanë vizituar Kosovën muajt e fundit për të bindur Kurtin të tërhiqet. Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së, William Burns, gjithashtu kërkoi kujdes në një takim me Kurtin në gusht, thanë burimet”, shkruan Reuters.
Mediumi i ka kushtuar një pjesë të madhe të artikullit hapjes së biznesit “Missini Sweets” së fundi në Mitrovicën e Veriut mes – siç shkruan aty – një kundërshtimi nga serbët etnikë për të cilin thuhet se po “refuzojnë të hyjnë.”
“Që nga hapja e një kafeneje të re të quajtur ‘Missini Sweets’ këtë muaj në Mitrovicën e Veriut, Kosovë, një mori mysafirësh kanë shijuar pijet dhe ëmbëlsirat e saj. Por biznesi është përballur me erëra të kundërta: drejtohet nga shqiptarë etnikë dhe serbët etnikë vendas refuzojnë të hyjnë”.https://zeri.info/inarticle.html
Duke iu referuar një videoje të postuar në Telegram, në artikull përmenden thirrjet e bëra nga komuniteti serb për t’i bojkotuar bizneset shqiptare në atë pjesë.
“Një video e postuar në gusht në një kanal Telegram të popullarizuar nga serbët, e parë mijëra herë, bën thirrje që kafeneja të bojkotohet pasi të hapet, sepse është në një pjesë të qytetit të mbizotëruar nga serbët. Një supermarket i drejtuar nga shqiptarët aty pranë, i theksuar gjithashtu në video, ka pasur trajtim të ngjashëm, tha një punëtor atje”.