Shkruan: Basri Beka
Deklaratat e Naim Tërnava për “urrejtje” nga thirrjet për konvertime janë një përmbysje e qëllimshme e realitetit. Në Kosovë, askush nuk ka të drejtë të vendosë kufij mbi bindjen e tjetrit. Kjo është shoqëri e lirë, dhe liria fetare përfshin edhe të drejtën për të ndryshuar besimin, për ta refuzuar apo për ta kritikuar atë.
Të etiketosh këtë si “urrejtje” është tentativë për ta mbyllur debatin dhe për të frikësuar zërat ndryshe.
E vërteta është më e thjeshtë: nëse sot ka tensione, ato nuk lindin nga thirrjet për konvertime, por nga ndërhyrjet e vazhdueshme në identitetin kulturor dhe historik të shqiptarëve. Vetë Tërnava dhe Bashkësia Islame e Kosovës kanë qenë pjesë e një procesi të gjatë presioni për:
– ndërtim të një narrative alternative për historinë,
– tjetërsim kulturor,
– fyerje dhe relativizim të figurave kombëtare si Gjergj Kastrioti,
– dhe përpjekje për të deformuar edhe karakterin e luftës së Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Kjo nuk është harmoni. Kjo është përplasje e fshehtë me identitetin kombëtar.
Në praktikë, qytetarët përballen çdo ditë me imponim: thirrje fetare me autoparlantë pesë herë në ditë, pa standarde serioze për ndotjen akustike, që cenojnë jetën normale të familjeve. Liria e besimit nuk nënkupton imponim në hapësirë publike.
Dhe mbi të gjitha, mungon çdo përgjegjësi për një plagë reale: dhjetëra e qindra të rinj që përfunduan në luftëra të huaja si në Siri. As reflektim, as kërkim falje për prindërit që humbën fëmijët e tyre.
Reagimi i Dodë Gjergji është i drejtë: të thuash se një besim apo kulturë është e gabuar dhe të ftosh për ndryshim është e drejtë themelore. Nuk është urrejtje, është liri fjale.
Sa të drejtë ka Tërnava të mbrojë bindjen e tij, po aq të drejtë ka çdo tjetër ta kundërshtojë atë.
Harmonia ndërfetare nuk mbahet me etiketime dhe viktimizim. Mbahet duke pranuar pluralizmin real dhe duke hequr dorë nga imponimi – ideologjik, kulturor dhe publik.