Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Na u kanë qartë zojat ndër vete

Na u kanë qartë zojat ndër vete

Shkruan: Afrim Kasolli

Takim i ftuar për dje nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani me liderët e partive politike, ishte menduar për të prodhuar një konsensus ndër-partiak për caktimin e datës së zgjedhjeve, por në të vërtetë, ai solli krisjen më të hapur ta raporteve ndërmjet përfaqësuesve të pushtetit. Fillimisht shpërfillja e kryeministrit dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti ndaj kësaj ftese dhe refuzimi i presidentes për ta pranuar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, si përfaqësues i partisë në pushtet, me arsyetimin se nuk është lider dhe nuk meriton të ulet në të njëjtën tavolinë me ta.

Mirëpo, klimaksi i këtyre mos marrëveshjeve arrti kulmin nga shpotitjet banale ndërmjet, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla-Shvarc. Ishte kjo e fundit që një ditë më herët në një organizim tallava për mërgatën, në mënyrë metaforike e akuzoi të parën si llafegjate, pasi ka preferencë për këngën e Dafina Zeqirit, “llafe llafe”, çfarë edhe solli reagimin e presidentes në konferencën për media, duke e përshkruar ministren e Punëve të Jashtme si shembull i këngës tjetër, “me kast, me kast, mjeshtër i mashtrimeve, me kast, me kast përsëritës i gabimeve”.

Kjo përçarje e “artistiko-politike” e dy zonjave me të fuqishme politike në vend, pa dyshim se buron nga konflikti i mëhershëm, që e ka origjinën, që nga letra e dërguar Këshillit të Evropës nga shefja e diplomacisë në çastet e fundit, ku zotohej për dërgim të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatë Kushtetuese, si parakusht për pranimin e Kosovës në këtë organizatë, duke e mbajtur në terr informativ presidenten për këtë lëvizje. Ndërkohë, e para e shtetit, këtë akt e quajti si cenim të kompetencave të saj kushtetuese, si dhe se si Qeveria i ka tradhtuar interesat shtetërore me letrën e dërguar në Këshill të Evropës, një ditë para takimit të Këshillit Ministror, sepse i ka shërbyer strategjisë së presidentit serb Aleksandër Vuciq për nxjerrjen e Asociacionit nga pakoja e Marrëveshjes bazike të Brukselit.

Akuzën ndaj pushtetit për një lloj “puqi” politik dhe kushtetues ndaj institucionit të presidentes ajo e përsëriti edhe dje kur deklaroi, se ka tendenca t’ia minojnë kompetencat kushtetuese, por që ajo është e vendosur me i ndal, “dhe do t’i ndalim”.

Kjo “qartje e zonjave ndër vete”, megjithatë është pasojë e përfshirjes së tyre në ingranazhin e lojërave politike të pushtetit dhe shtytjes për të mbijetuar në këtë betejë se sa arsyetimet zyrtare. Në fund të fundit, edhe vet presidentja e Kosovës, disa herë i ka minuar kompetencat e institucionit që e përfaqëson vetëm për t’i shërbyer qëllimeve të pushtetit, sikur se në rastin e shkarkimit të kryetares së KQZ, Valdeta Daka, apo me mos veprimin e saj për ta emëruar kryeprokurorin e shtetit, heshtje kjo që e kaloi falë mbështetjes së LDK-së, për ta mos e dërguar në Gjykatë Kushtetuese këtë lëndë.

Në këtë kontekst, edhe Donika Gërvalla tashmë është e vetëdijshme që fati i saj politik nuk varet nga aleanca me Vjosën për nga afërsia me Albin Kurtin. Prandaj, tash për të, e para është vetëm një njeri që prodhon llafe dhe asgjë më shumë, kurse i dyti një super yll. Kam shkruar edhe hera tjera për vetminë e pasinqertë politike dhe faktin se askush nga Lista Guxo, nuk kishte guxuar ta mbronte atë gjatë përplasjeve me krye kuvendarin Konjufca.

Nuk ka dyshim, se kjo situatë është ngazëlluese për kryeministrin Kurti. Ai i tregon presidentes mbi peshën e papërfillshme politike qe e ka. Kurse ky rivaliteti i dy ish shoqeve të politike për ta fituar admirimin e tij, si parakusht për karriere, tregon edhe për iluzionin që ka ekzistuar në këtë shoqëri se kauzat gjinore mund të afirmohen vetëm duke i pushtetizuar disa gra. Në të vërtetë, ky rast dhe të tjera të ngjashme si ky, po dëshmojnë se pikërisht këto të fundit, me sjellje të tilla, nuk ngurojnë ta riprodhojnë atë kulturë patriarkale, që afirmon kultin dhe pushtetin e liderit ku shërbimi ndaj tij shndërrohet në çelës për karriere politike edhe për gratë. /TV Arbëria

Powered by WordPress