Çka u dha për rritje pagash – deri në korrik të vitit të ardhshëm, 110 euro – është veç “premtim” e jo punë e kryer, tha ekonomisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa.
Kjo ngase, siç argumentoi ai, një gjë e tillë “për lartësimin e vlerës së koeficientit” nuk është brenda kompetencave të ekzekutivit por Kuvendit të Kosovës përmes miratimin të ligjeve; çka në këtë rast kërkohet ndryshimi i ligjit për pagat në sektorin publik.
Ndërsa sa i përket Kuvendit të Kosovës, “mazhoranca vazhdimisht ka probleme me kuorumin”.
“U përpoqën ta paraqesin si vendim qeveritar. Kompetencën për ndryshimin e lartësisë së koeficientit e ka vetëm Kuvendi i Kosovës përmes miratimit të ligjeve. Ajo konferencë ishte veçse tendencë për mashtim të publikut se kinse kemi marrë vendim për rritje të pagave, ky është veç premtim. Sepse për t’u lartësuar koeficienti, për të ndodhur ky premtim pikësëpari ligji duhet të ndryshojë”, tha ai.
“Se sa kjo qeveri e mazhorancës ka aftësi brenda dy muajve ta ndryshojë ligjin për pagat në sektorin publik dhe po ashtu të aprovojë buxhetin është po thuajse e pamundur, sepse kjo mazhorancë ka probleme me kuroum vazhdimisht. E tash, si kanë me i aprovu mbi 50 ligje që i janë grumbullu e pastaj të arrijë te këto dy ligje”, ka thënë Mustafa. /teve1