Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Mustafa i PDK-së: Qeveria po i mban qytetarët të varur nga ndihmat simbolike të kohëpaskohshme

Mustafa i PDK-së: Qeveria po i mban qytetarët të varur nga ndihmat simbolike të kohëpaskohshme

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë Kurti për të dhuruar ndihma nga 100 euro për muajin dhjetor për pensionistët dhe fëmijët.

Përmes një reagimi në Facebook, Mustafa ka kritikuar ekzekutiv duke thënë se po i mban qytetarët të varur nga ndihmat simbolike të kohëpaskohshme, por nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme për asnjë kategori të qytetarëve.

“Duke hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës, Albin Kurti po i kthehet edhe një herë instrumentit të tij të vetëm ekonomik – atë të dhurimit të 100 eurove. Kësaj here paska vendosur t’ia dhurojë nga 100 euro pensionistëve, të cilët i braktisi në kushtet e rritjes kaq të madhe të çmimeve, duke refuzuar t’ua rritë pensionet”.
“Tani, me këto 100 euro të njëhershme po synojka t’ua përmirësojë jetën! Kjo është mënyra kryesore se si po e shpenzon buxhetin kjo qeveri!”, ka shkruar ai.

Më tej, Mustafa është shprehur se “ky është mentalitet i qeverisjes në varfëri, ku qytetarët mbahen të varur nga shtrirja e dorës me ndonjë qindarkë kohë pas kohe nga qeveria”.

“Për pensionistët nuk mjafton mbështetja për ta festuar Vitin e Ri, por duhet mbështetje që ua mundëson përballimin e shpenzimeve të përditshme të cilat janë bërë të papërballueshme!”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

/TV Arbëria

Powered by WordPress