Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Musliu: Qytetarët janë lodhur me fjalë, përralla e filozofi, asnjë parti s’mund të krahasohet me suksesin e PDK-së

Musliu: Qytetarët janë lodhur me fjalë, përralla e filozofi, asnjë parti s’mund të krahasohet me suksesin e PDK-së

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë për EO se më 9 shkurt, Kosova do të marrë “drejtimin e duhur” me qeverisjen e re.

Deputetja e PDK-së thekson se asnjë parti nuk mund të krahasohet me suksesin dhe punën që ka bërë PDK-ja sa ka udhëhequr vendin.

Musliu ka thënë se qeverisja e udhëhequr nga Albin Kurti nuk ka pasur asnjë punë të përfunduar. Sipas saj, qytetarët janë lodhur me “fjalë, përralla e filozofi”.

“Gjatë gjithë mandatit qeveritar kemi pasur dy tri video dhe postime nga Lëvizje Vetëvendosje nuk kanë prezantuar një rezultat apo një punë që ka kryer kjo Qeveri, të gjitha janë gjykime dhe propagandë ndaj partive të tjera politike dhe se çka kanë bërë ato që 20 vite. Ne kemi jetuar këtu dhe vazhdojmë të jetojmë sepse nuk kemi vendlindje dhe atdhe tjetër. Qytetarët e kanë parë saktësisht rezultatin janë lodhur me fjalë e përralla me formula e filozofi, e të cilat në realitet po dëshmojnë që nuk i dinë por janë munduar t’i fshehin dështimet e tyre mbrapa këtyre formulave dhe sot janë të bindur që është PDK-ja ajo, se atë që e thotë e mban dhe e realizon. Le të vendosin vetë qytetarët se a dëshirojnë punë, paga të larta apo dëshirojnë fjalë përralla dhe fotografi në Facebook. Qytetarët nuk kanë nevojë të justifikohen që po i provojnë qeveritë sepse i kanë provuar të gjithë”, ka thënë Musliu.

Deputetja e PDK-së ka deklaruar se qytetarët po e përkrahin kandidatin e kësaj partie për kryeministër, ndërsa thekson se asnjë parti nuk mund të krahasohet me punën dhe suksesin që ka shënuar PDK-ja gjatë qeverisjes.

“Partia Demokratike e Kosovës është në çdo shtëpi dhe tek çdo qytetar i Kosovës, jam e fascinuar me përkrahjen madhështore që është duke i dhënë përkrahje madhështore e cila është duke dhënë kandidatit tonë për kryeministër Bedri Hamzës. Mbrëmë ishim në Gjilan dhe Kamenicë e gjithandej Kosovës, është një entuziazëm i jashtëzakonshëm. Qytetari i Republikës së Kosovës, e ka vlerësuar dhe analizuar secilën parti në vend dhe janë bindur që asnjë parti nuk mund të krahasohet me punën dhe suksesin që ka shënuar PDK-ja, dhe e sheh të nevojshme kthimin e PDK-së në pushtet për ta drejtuar Kosovën drejtë prosperitetit dhe progresit në përgjithësi”, ka thënë Musliu, teksa shpreh bindjen se pas 9 shkurtit, Kosova do të udhëhiqet nga kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.

“Më 9 shkurt, Kosova do ta merr drejtimin e duhur. Fatkeqësisht Kosova sot është pa agjendë as vendore e as ndërkombëtare. E keni parë që nuk ka asnjë aktivitet të kësaj qeverie janë strukur nëpër zyre dhe e kanë bllokuar Kuvendin dhe mundohet të ushtrojnë diktaturë në çdo fushë. Ne duhet të punojmë fort që qytetarët ta duan vendin dhe të mos krijojnë urrejtje ndaj vendit. Kurrë nuk kanë qenë mediat më të sulmuar sesa nga kjo Qeveri, i sulmon gjykatat çdo ditë, asnjë Qeveri më parë nuk kanë protestuar ushtria e policia, në këtë Qeveri kanë protestuar. Qytetari nuk mundet ta durojë më këtë qasje të pushtetarëve”, u shpreh Musliu.

Deputetja Musliu ka thënë se do të jetë zëri opozitar nëse kandidati i tyre për kryeministër nuk i mban premtimet. Ka thënë se Bedri Hamza si kryeministër do ta ketë kundër nëse nuk i realizon premtimet e dhëna.

“Nëse në tre muajt e parë Bedri Hamza nuk fillon me realizimin e projekteve të cilat i premton mua do të më ketë kundër bashkë me qytetarët, ka kaluar koha kur del e gënjen qytetarët në publik e kthehesh në Kuvend dhe nuk guxon asnjë deputetë me ta kundërshtuar. Nuk e di se si kanë me mundur që të dalin anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosjes me kërkuar votën para qytetarëve, kur nuk janë në gjendje të kenë qëndrim për asnjë problem të vetëm këta nuk janë pozicionuar me qytetarë. Prandaj është ardhur koha që kërkojmë përgjegjësi ndaj atyre që dëshirojnë ta shkatërrojnë shtetin”, u shpreh ajo.

Themes by WordPress