Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Musliu për rastin “Panda”: Shteti serb sakrifikoi jetët për një kauzë të rreme

Musliu për rastin “Panda”: Shteti serb sakrifikoi jetët për një kauzë të rreme

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka komentuar rastin e njohur si “Panda”, duke e cilësuar si një nga shembujt më të rëndë të operacioneve të rreme (false flag) të aparatit shtetëror serb, të përdorura për të justifikuar represionin ndaj shqiptarëve dhe për të manipuluar opinionin publik.

Musliu thekson se për 27 vjet Serbia ka manipuluar dhe heshtur politikisht lidhur me këtë rast, duke akuzuar shqiptarët pa asnjë provë dhe duke kriminalizuar komunitetin. Ai shton se, megjithëse presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se autoritetet posedojnë të dhëna për vrasësit, nuk është bërë publik asnjë emër, nuk është hapur asnjë procedurë penale dhe familjeve të viktimave nuk u është thënë e vërteta.

Sipas Musliut, mënyra e mbylljes së rastit, arrestimet pa prova dhe mungesa e transparencës tregojnë për një krim të mbrojtur politikisht në nivelet më të larta të shtetit serb. Ai shton se ky rast dëshmon se Serbia është e gatshme të sakrifikojë edhe të rinjtë serbë për t’i përdorur si mjet akuze kundër shqiptarëve, duke treguar një mungesë totale të kufijve moralë, ligjorë dhe njerëzorë.

Ish-prokurori serb për krimet e luftës, Vladimir Vukçeviq, ka deklaruar se në rajonin e Pejës nuk kishte “pothuajse asnjë shqiptar” në kohën e sulmit dhe se shqiptarët nuk ishin autorët e krimit. Ai shtoi se hetimi i ri serb nuk ka shumë shanse të zbulojë të vërtetën për organizatorët e sulmit në “Panda Café”.

Musliu përfundon duke thënë se bota duhet të kuptojë manipulimet e një shteti që është i gatshëm të sakrifikojë jetët njerëzore për një kauzë të rreme politike, dhe se heshtja e Vuçiqit vazhdon të mbrojë këtë krim dhe padrejtësinë ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.