Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Musliu për bojkotin e mazhorancës: Diskriminues dhe i padrejtë

Musliu për bojkotin e mazhorancës: Diskriminues dhe i padrejtë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, e ka quajtur diskriminues dhe të padrejtë bojkotimin e seancës nga mazhoranca. Kjo seancë është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për të shqyrtuar projektrezolutën për mbështetje urgjente financiare për Policinë e Kosovës.

Seanca e jashtëzakonshme për Policinë ishte dashur të mbahej në orën 11:00, por dështoi për shkak të mungesës së deputetëve të pushtetit.

Kësisoj, Musliu ka deklaruar se duke e parë gjendjen në të cilën përballet ky institucion i sigurisë, bojkotimi e shkatërron edhe më shumë.

“Është vendim i padrejtë, diskriminues dhe është vendim i cili e dëmton jashtëzakonisht rëndë institucionin e Policisë së Kosovës. Duke pasur parasysh që Policia e Kosovës përballet me një gjendje të rëndë të kushteve të punës por edhe të ardhura shtetërorë, definitivisht ky vendim e shkatërron edhe më shumë Policinë e Kosovës”, ka thënë Musliu.

Duke përmendur sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, Musliu ka thënë se është tregues i qartë për nevojën e rritjes së kapaciteteve dhe resurseve për Policinë. Ajo ka thënë se pagat nuk janë rritur që nga koha e ish-kryeministrit Hashim Thaçi.

“Po është vendim diskriminues dhe është vendim i gabuar, është vendim dekurajues. Unë e kam thënë edhe në disa seanca që vendimet e Qeverisë Kurti, janë duke e dekurajuar qytetarin në përgjithësi, e me theks veçantë Policinë sepse ka ulur moralin dhe dinjitetin e policit. Ne e patëm rastin e 24 shtatorit dhe ajo ditë është treguesi më i mirë i nevojave për rritjen e kapaciteteve dhe resurseve për Policinë, duke pasur parasysh se Policia e Kosovës tash e 24 vite që nga themelimi, është pa sigurime shëndetësore e jetësore, pa rritje pagash që sa vitesh që nga koha kur pagat i ka ngritur ish-kryeministri Hashim Thaçi. Pra kjo tregon duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të mos dekurajojmë policin e Kosovës”, ka thënë ajo.

Musliu ka thënë se Qeveria Kurti është dashur t’i gëzohej mbështetjes së opozitës për çështje të tilla, teksa bojkotimin e quan tendencë për ta poshtëruar opozitën.

“Frikë të përballet me opinionin dhe qytetarin, frikë të përballet me Policinë e Kosovës, frikë mosdije dhe mosguxim për të qeverisur me vendin. Sot një Qeveri kushdo qoftë ajo, do të ishte e lumtur që e ka mbështetjen e gjithë spektrit politik për një politikë që është jetike për institucion që është shumë vital siç është Policia e Kosovës, në vend se ta mirëpres propozimin e opozitës, në vend se ta mirëkuptojë dhe ta falënderojë opozitën që po e përkrah në një moment të ndejshëm, ajo ka zgjedh ta bojkotojë sepse tenton që me forma të tilla ta poshtëroje opozitën”, u shpreh ajo.

/TV Arbëria

Powered by WordPress