Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që kur u krye sulmi në Banjskë të Zveçanit po deklaron që KFOR-it duhet të rivendos kontrollin në veri të Kosovës.
E, për deklaratën e tij ka pasur reagime të shumta.
Për këtë ka folur edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.
Sipas saj, Kurti e Rama duhet të ulen bashkë dhe të bisedojnë si dy burrështetas dhe t’i ulin shpatullat e bajraktarizmit.
“Ajo çka unë shoh urgjente, emergjente është që Edi Rama dhe Albin Kurti t’i ulin shpatullat e bajraktarizmit ose flamujt e bajraktarizmit, të ulen si dy liderë ose si dy burrështetas të kombit tonë nëse mund ta quajmë ashtu dhe të ulen të diskutojnë dhe të koordinohen edhe me deklarata edhe me përfaqësim edhe me kërkesa ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe në përgjithësi aleatëve tonë”, ka thënë Musliu, për Front Online.