Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar nëpërmjet një postimi në “Facebook” për krizën në kombinatin metalurgjik, duke kritikuar posaçërisht krerët e shtetit – Albin Kurti dhe Vjosa Osmani – rreth kushteve të rënda të punës së minatorëve të Trepçës
Musliu ka shkruar se përderisa krerët e shtetit janë në Paris të Francës në kuadër të lojërave olimpike, minatorët kanë mbetur pa bukë në sofër. Ajo gjithashtu ka shpërndarë një mesazh të një minatori, duke i bërë jehonë gjendjes së rënduar në Trepçë: “Mesazhet që kam marrë nga ata që punojnë në nëntokën e Kosovës janë shumë shqetësuese”, ka shkruar deputetja.
“Ata krahas punës së përditshme në kushte shumë të vështira, me muaj të tërë po ballafaqohen edhe me mungesë të pagës mujore. Askush nuk flet për ta, askush nuk i mbronë ata, askujtë nuk i intereson vuajtja dhe djersa e tyre. Sa vlenë mundi i minatorit? Sa vlenë djersa e punëtorit? A ju intereson se a kanë bukë për familjet e tyre?”, ka theksuar mes tjerash Musliu.
Minatorët e Trepçës kanë hyrë në javën e dytë të grevës për shkak të mosrealizimit të pagave të muajit qershor dhe shujtave ushqimore. E kryeshefi i ndërmarrjes, Bashkim Kurti, në një përgjigje për shtyp, ka thënë se pagat nuk janë realizuar deri më tani për shkak të mungesës së fondeve.