Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka shprehur kundërshtimin e saj karshi deklarimeve të deputetes së Arjet Fezja dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilat thanë se ka femicid në Kosovë.
Musliu tha se në Kosovë nuk ka femicid por ka dhunë ndaj grave që duhet të luftohet me ligj e rregulla.
Ajo madje shtoi pyetje se kujt po i konvenon që shoqërinë e Kosovës me bërë shoqëri femicide.
Musliu: Të trajtohemi ne si shoqëri femicide, kjo është e papranueshme
“Kujt po i konvenon që me bë shoqërinë tonë shoqëri femicide. Në Kosovë nuk vriten gratë veç pse janë gra, kuptojeni njëherë e përgjithmonë. Fjala femicid thotë urrejtje ndaj grave me përmasa të mëdha, ka dhunë ndaj grave, ka që vriten gra, vriten edhe burra por nuk guxojmë që në këtë parlament t’i japim emrin femicid, duhet të jem të kujdesshëm sepse shkruhen raporte se çka flasim ne këtu. Dhe të trajtohemi ne si shoqëri femicide, kjo është e papranueshme, a jam për t’u dënuar vrasjet në Kosovës po, a jam për t’u vendosur drejtësi efektive po, por nuk dua drejtësi selektive. Drejtësia duhet të jetë si për burrat dhe gratë”, tha ajo.
Arjeta Fejza nga Lëvizja Vetëvendosje, u shpreh se tendenca për ta realitivuar një dukuri që po vret gratë është e papranueshme.
Ajo tha se në Kosovë ka femicide dhe gratë vriten veç pse janë gra.
Fejza: Në Kosovë ka femicid
“Tendenca për ta relativizuar një dukuri e cila në Kosovë i kemi 66 gra të vrava dhe të themi se gratë në Kosovë nuk vriten vetëm pse janë gra. Unë konsideroj se kjo është e papranueshme prandaj në këtë linjë konsiderojmë se është e rëndësishme që institucionet të angazhohem të kemi shumë barazi dhe drejtësi…në Kosovë nuk do mend që ka femicid dhe vrasje të grave veç se janë gra”, tha ajo.
E më pas reagoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se mendësia e deputetes së PDK-së, shpërfaqë mendësinë e qeverisjes së PDK, sikurse edhe qeverisjeve të tjera të cilat nuk kanë bërë asnjë veprim për ta adresuar dhunën në familje.
Haxhiu: Mendësia e Musliut shpërfaqë mendësinë e qeverisë së PDK
“Nuk do të doja që në këtë foltore të Kuvendit të Kosovës të kemi deputete e deputet të Kuvendit të Kosovës që ka një qasje të tillë bënë një deklarim të tillë sepse në fakt ata dhunuesit dhe kriminelët potencial kur iu dëgjojnë teksa flisnin sigurisht që inkurajoni nga fjala jote….Po në Kosovë ka femicid por në fakt mendësia jote shpërfaqë mendësinë e qeverisjes së PDK sikurse edhe qeverisjeve të tjera sepse asnjë veprim nuk e keni ndërmarrë asnjëherë për ta adresuar dhunën në familje dhe baza gjinore, dhunën ndaj grave dhe është hera e parë që Qeveria e Kosovës po e adreson seriozisht duke marrë veprime konkrete për luftimin e kësaj dukurie”, tha ajo.
E tutje, ministrja Haxhiu iu drejtua deputetes Musliu duke i thënë se janë të papërmirësueshëm.
Haxhiu: Jeni të papërmirësueshëm zonja Musliu
“Ju në njëfarë forme arsyetuat vrasjet ndaj grave. Jeni të papërmirësueshëm zonja Musliu, njësoj keni vepruar edhe në kohën kur kemi proceduar projektligjin për njohjen e statusit të grave të dhunuara gjatë luftës njësoj keni vepruar prandaj jeni të papërmirësueshëm”, tha haxhiu.
Pas kësaj reagoi përsëri, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila nga institucionet e vendit kërkoi mbrojtje.
Musliu: Qysh sot kërkoi nga shteti të më ofroj ndihmë dhe të më mbroj
“Qysh sot kërkoi nga shteti të më ofroj ndihmë dhe të më mbroj sepse edhe unë grua dhe petku i deputetes nuk më mbron mua nga fenomeni femicid që qenka në Kosovë”, tha ajo.
/TV Arbëria