Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Teknologji > Musk zbulon arsyen e vizitës së tij në Kinë

Musk zbulon arsyen e vizitës së tij në Kinë

Elon Musk ka njoftuar se tani ndodhet në Pekin për të diskutuar mundësinë e mënyrës autonome të drejtimit të veturave Tesla në Kinë.

Bëhet e ditur se Musk po dëshiron të mundësojë vetëdrejtimin (FSD) e automjeteve në Kinë, i cili tashmë është i disponueshëm në SHBA.

Ky lajm vjen pas raportit amerikan që lidhi drejtimin autonom të Tesla-s me të paktën 13 aksidente, duke përfshirë një vdekje.

Gjatë një takimi me kryeministrin kinez, Li Qiang, Musk citohet të ketë thënë se është i gatshëm për bashkëpunim të thellë me Kinën për të “arritur rezultate më të favorshme”.

Si përgjigje, raportohet se Li i tha Musk se tregu kinez do të jetë “gjithmonë i hapur për financime nga jashtë”, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, Kina është tregu i dytë më i madh i Tesla-s. Prodhuesit e tjerë të veturave si Xpeng janë përpjekur gjithmonë të konkurrojnë me kompaninë e Musk me funksione të ngjashme vetëdrejtuese.

Siç raportohet, Tesla ka ndërmarrë hapa për të siguruar përhapjen e FSD-së në Kinë, duke përfshirë edhe krijimin e një qendre të dhënash në Shangai për përpunimin e të dhënave.

Musk gjithashtu ka premtuar se Tesla do të jetë në gjendje që së shpejti të veprojë edhe si robotaksi autonome. Madje, shefi ekzekutiv i kompanisë tha se taksia autonome do të prezantohet në gusht të vitit 2024.

Prodhuesi i veturave ka ulur edhe çmimet e produkteve të tij në tregje botërore, në mënyrë që të rritet kërkesa për vetura elektrike.

“Çmimet e Tesla-s duhet të ndryshojnë shpesh në mënyrë që të përputhen me prodhimin dhe kërkesën”, tha Musk.

Kohët e fundit, Tesla ka raportuar një rënie të përgjithshme të shitjeve prej 9 për qind dhe rënie të aksioneve prej 32 për qind.

/TV Arbëria

Themes by WordPress