Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Maqedoni > Mushkonjat në Shkup, ankesa për spërkatje të vonshme dhe rrezik për shëndetin publik

Mushkonjat në Shkup, ankesa për spërkatje të vonshme dhe rrezik për shëndetin publik

Vendi ynë është një “shtëpi” mushkonjash. Për momentin në vend llojet e mushkonjave janë në bazë të pozitës dhe kushteve të mjedisit. Autoritetet shëndetësore kërkojnë nga Komunat që tani të ndajnë më shumë mjete për spërkatje kundër mushkonjave. Mirëpo, këtë vit procesi i spërkatjes ka nisur një muaj më parë. E që për këtë shumë banorë të Shkupit ankohen për pickimin e mushkonjave dhe mendojnë se spërkatja është tepër vonë.

Arta nga Çairi i Shkupit për gazetën Koha deklaroi se si pasojë e spërkatjes së vonshme, mushkonjat nuk po i lënë të qetë dhe po i izolojnë qytetarët.

“Nuk kemi mundësi as ta hapim dritaren gjatë natës në këto temperatura ekstreme, mendoj që autoritetet duet ta kishin parashikuar këtë që nga fillimi i vitit, tani më është tepër vonë. Mund të na vijnë edhe shumë sëmundje si pasojë e papërgjegjësisë së autoriteteve përkatëse. Ne nuk dimë se as kujt ti drejtohemi dhe te kush ti bëjmë ankesat tona”, tha Arta Shaini.

Nga ana tjetër, ekspertët ngrenë alarmin se metoda e spërkatjes kundër mushkonjave në vendin tonë, është jo efikase, dhe se jo çdo komunë e zbaton atë rregullisht. Metoda e cila po zbatohet është spërkatja nga lartë përmes avionit, e cila sipas ekspertëve duhet të ndërrohet me metodën e spërkatjes nga toka.

Megjithatë, nga Qyteti i Shkupit thanë për gazetën KOHA se deri në këtë gjysmëvit, Shkupi deri më tani është spërkatur disa herë si nga ajri ashtu edhe nga toka.

“Deri tani kanë spërkatur disa herë në Shkup si në mënyrë tokësore ashtu edhe ajrore. Planifikojmë që në të ardhmen kur të jetë nevoja prapë të spërkasim vazhdimisht për ti mbrojtur qytetarët. Bëhet fjalë për më shumë se gjysmë milion qytetarë në Shkup dhe gjithnjë jemi të gatshëm kur të jetë nevoja për të ndihmuar dhe qytetarët të jenë të mbrojtur dhe të shëndetshëm”, theksuan nga Qyteti i Shkupit.

Ndërkaq, mushkonjat përveçse janë kryesisht të mërzitshme, të vogla dhe pothuajse të padukshme, ato janë ndoshta ndër insektet më të rrezikshme në planet për shkak të faktit se shkaktojnë miliona vdekje çdo vit. Shumica e specieve të mushkonjave janë zakonisht të padëmshme, por disa prej tyre, ato të rrezikshmet, janë insekte të vërtete gjakatare që kanë aftësinë për të transmetuar lehtësisht sëmundjet tek njerëzit. Ndër të tjera, disa nga sëmundjet më të rrezikshme që transmetohen nga mushkonjat përfshijnë ethet tropikale, infeksioni Zika, ethet e Nilit Perëndimor, malaria, e të tjera.

Në vendin tonë, këto sëmundje vërehen rrallë, por nëse shkoni në një udhëtim në zona me rrezik të lartë, është mirë të njihen nga afër dhe të ketë shumë kujdes, pra të shmangen pickimet e mushkonjave. Prezenca e madhe e mushkonjave në gjithë botën përkon me ngrohjen globale, urbanizmin, rritjen e popullsisë. Në Evropë jetojnë shtatë lloje mushkonjash, ndërsa në Maqedoni janë rreth pesë lloje të mushkonjave./Koha.mk/

Themes by WordPress