Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > MUS L’SHO PE!

MUS L’SHO PE!

Shkruan: Afrim Haliti

“Mos lësho pe!” tingëllon fuqishëm sepse prek diçka primitive brenda nesh. Prek krenarinë, sfidën dhe kryeneçësinë. E zgjon refleksin tribal për të mos u tërhequr pa marrë parasysh koston. Kur Agim Bahtiri dikur i bëri thirrje Albinit “mus l’sho pe” dukej si kushtrim, si një lloj thirrje për qëndresë. Sot, përndryshe, e njëjta fjali, e adaptuar si slogan zgjedhor na e shpërfaqë pikërisht dobësinë e saj më të madhe.

Sepse sloganet nuk jetojnë gjatë në gojë. Jetën e vërtetë e vazhdojnë në mbamendje.

E mbamendja politike për Albinin është e mbushur me momente kur ai, në fakt, ka lëshuar pe. Herë në heshtje, herë me taktika. Ndonjëherë me ngathtësi e ndonjëherë duke u shtirur sikur asgjë nuk po ndodhte.

Mjafton të marrim Marrëveshjen e Ohrit. Jo atë që se keni lexuar dhe jo versionin që VV-ja ua shpjegon analfabetëve funksionalë, por aneksin. Atë të pranuar pa nënshkrim, pa debat parlamentar e pa transparencë. Atë që e bllokoi Kosovën në detyrime që vetë Albini dikur i quante të papranueshme, madje edhe të rrezikshme. Njohje pa njohje. Asociacion pa thënë Asociacion. Autonomi pa thënë Autonomi. Aty, atëherë, askush nuk bërtiti “mos l’sho pe!”. Ai akt thjesht u gëlltit si kelbaz.

Ose rasti i tokave të Manastirit të Deçanit. Vite të tëra retorikë absolute. Vite të tëra me kinse moral të lartë dhe fjalë të mëdha për sovranitetin që nuk negociohet. Pastaj, me një vendim të vetëm toka iu dorëzua Manastirit nga e njëjta qeveri që betohej se kurrë nuk do ta bënte këtë. Jo sepse argumenti ndryshoi, por sepse realiteti trokiti në derë dhe fatkeqësisht sloganet nuk dinin të përgjigjen.

Këtu fillon problemi i parë i “mos lësho pe!” në politikë, pra ngatërrimi i ngurtësisë me forcën. Filozofia na ka paralajmëruar për këtë prej shekujsh. Parimet pa kontekst shndërrohen në tirani. Madje edhe Kanti e thoshte këtë. Edhe Makiaveli e kuptonte se mbijetesa politike shpesh kërkon përulje. Lideri që kurrë nuk lëshon pe nuk ekziston e ai që shtiret se nuk lëshon pe është shumë i rrezikshëm.

Politika është arti i të zgjedhurit se kur të ngulësh këmbë e kur të tërhiqesh. Ta shndërrosh “moslëshimin pe” në absolutizëm moral nuk është guxim por refuzim për t’ua shpjeguar qytetarëve kompromiset, e kur kompromiset kamuflohen do të thotë që qytetarët trajtohen si të papjekur.

Problemi i dytë është mbamendja. Ky slogan supozon se ne jemi shoqëri me amnezi kolektive. Sikur kemi harruar momentet kur peri jo vetëm që u lëshua pak, por u humb bashkë me fijën e me lëmshin. Letërnjoftimet serbe me vendbanime kosovare. Liberalizimi i vizave për pasaporta serbe që mbulojnë vendbanime kosovare. Nejse. Ka njerëz që vuajnë nga amnezia politike. Por jo të gjithë.

Pastaj vjen slogani tjetër: “Siguri dhe begati”.

Siguri nga kush? Begati për kë?

Siguria është reduktuar në menaxhim tensioni, në krizë të përhershme, në qeverisje përmes tutës. Kur çdo gjë paraqitet si kërcënim ekzistencial, qytetarët nuk ndihen më të mbrojtur por të bllokuar. Siguria e vërtetë do të duhej të prodhonte qetësi. Por regjimi i Albinit e ka normalizuar ankthin. E ka normalizuar tutën nga një grusht serbësh në veri dhe nga një parti e tyre politike.

E begatia? Begatia nuk krijohet me slogane. Begatia shihet, preket e jetohet në stabilitet, në mundësi e në dinjitet. Është fjalë e pakuptimtë në një realitet ku çmimet rriten më shpejt se pagat, ku të rinjtë ikin në Gjermani e gjetiu pa zhurmë, dhe ku diaspora dërgon më shumë shpresë sesa që prodhon vetë shteti. Kur dikush ka nevojë të flasë vazhdimisht për begati, zakonisht do të thotë se ajo mungon.

Së bashku, këto slogane nuk janë thirrje për të ardhmen. Janë slogane vetëmbrojtjeje. “Mos lësho pe!” synon t’i fshijë lëshimet e dukshme e “Siguri dhe begati” synon të zbusë koston e përplasjes së përhershme.

Por gjuha ka kujtesë. Fjalët mbajnë mend si janë përdorur para se dikush të vijë në pushtet. Prandaj këto slogane tingëllojnë njëkohësisht edhe të zhurmshme, edhe të zbrazëta.

Nuk është tragjike që Albini ka lëshuar pe. Çdo udhëheqës e bën këtë. Tragjike është se ai e ka ndërtuar gjithë identitetin e tij politik mbi mohimin e kësaj të vërtete. Dhe pikërisht për këtë arsye, “mos lësho pe” sot nuk ka më as kuptim, as peshë.