Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Ilir Murtezaj, në EURO n’T7 ka deklaruar se populli i Kosovës është lodhur nga gjendja aktuale ekonomike e shkaktuar nga qeveria Kurti.
E mira, sipas tij, është se populli ynë, edhe pse i lodhur, nuk është dorëzuar dhe nuk dorëzohet kurrë, ndërsa zgjidhja e gjendjes aktuale ekonomike është vota për PDK-në dhe kandidatin e saj për kryeministër, z. Bedri Hamza.
“Partia Demokratike e Kosovës vjen me një program të jashtëzakonshëm, me shumë shpresë për ta përmirësuar gjendjen aktuale socio-ekonomike dhe për të kontribuar në stabilitet dhe rritje të vazhdueshme ekonomike. Shtylla kryesore në programin tonë është zhvillimi ekonomik, ku do të merren një mori masash për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve tanë. Në vitet e kaluara kemi parë që qeveria në detyrë ka dështuar në realizimin e premtimeve të saja dhe mandati i ka shkuar duke marrë masa ad’hoc, atypëraty, masa këto që do të arsyetoheshin në kohë pandemie, por jo të shpenzohet buxheti i shtetit çdo vit me masa të tilla”, ka thënë Murtezaj.
Në anën tjetër, sipas tij, qytetarët kanë nevojë për parashikueshmëri dhe për të ardhura të vazhdueshme për të përballuar inflacionin dhe rritjen enorme të çmimeve, gjë që u ka munguar në këto pesë vitet e fundit.
“Qytetarët nuk kanë nevojë për lëmoshë që u jepet kurdo që qeveria vendos, ata kanë nevojë për të ardhura të vazhdueshme më të mëdha për ta përballuar inflacionin që po rritet çdo ditë. Pikërisht për këtë, në programin tonë kemi planin për rritjen e pagave për 50% për gjithë shërbyesit civilë, pastaj për pensionistët 50%, dhe për kategorinë më të çmuar tonën, ata të dalë nga lufta, të ardhurat e tyre nga shteti do të rriten për 50%. Pra, ne do të punojmë që jeta e gjithë qytetarëve tanë të jetë e dinjitetshme”, ka shtuar Murtezaj.